Rama për propozimin e Operës: Ejani të bashkëpunojmë, qytetarët mos të mbesin pa të

- Advertisement -

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me propozimin për ndërtimin e Operës, duke kritikuar mungesën e koordinimit me Kryeqytetin dhe duke kërkuar bashkëpunim ndërmjet institucioneve.

Përmes një postimi, Rama ka ngritur çështjen e trashëgimisë kulturore, duke pyetur nëse ajo po merret parasysh edhe në rastin e projektit “Ishulli Urban”, të cilin, sipas tij, po e bllokojnë në emër të trashëgimisë.

Ai ka theksuar se projekti “Ishulli Urban” lidh rreth 30 mijë banorë me qendrën e qytetit.

Rama ka kritikuar gjithashtu gjendjen e institucioneve kulturore, duke përmendur Teatrin Kombëtar dhe Muzeun Kombëtar, të cilët, sipas tij, janë të mbyllur tash e pesë vjet.

Sa i përket propozimit për Operën, ai ka thënë se është bërë pa bashkëpunim, koordinim dhe planifikim të përbashkët me Kryeqytetin.

Në fund, Rama ka ftuar institucionet që të bashkëpunojnë për realizimin e këtij projekti, duke shprehur gatishmërinë e Komunës për të ndarë hapësirën, angazhuar ekspertë dhe ndihmuar në koordinim.

Ai ka thënë se qëllimi duhet të jetë që qytetarët të përfitojnë dhe artistët ta kenë shtëpinë që meritojnë.

Të ngjashme

Të fundit