Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me shqetësimet e banorëve të Ulpianës për propozimin e rregullimit të hapësirës përreth fontanës në këtë lagje.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka siguruar se fontana nuk do të preket, ndërsa projekti parasheh zhvendosjen e parkingut nëntokë, me qëllim të krijimit të më shumë hapësirave të gjelbra dhe terreneve sportive për banorët.
Ai ka bërë të ditur se propozimi përfshin edhe mundësinë e ndërtimit të një objekti për akomodimin e sportistëve gjatë organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, në rast se paraqitet nevoja për një kapacitet të tillë.
“Objekti i banimit propozohet vetëm nëse nevojitet për Lojërat Mesdhetare ‘Prishtina 2030’. Konviktet nuk kanë kapacitet për të gjithë sportistët dhe stafin shoqërues. Për këtë arsye është menduar një objekt akomodimi pa destinim komercial, në harmoni me arkitekturën e lagjes. Pas Lojërave, hapësira mbetet për banorët!”, ka shkruar Rama.
Megjithatë, kryetari i Prishtinës ka theksuar se bëhet fjalë vetëm për një propozim dhe se asnjë hap nuk do të ndërmerret pa mbështetjen e banorëve të Ulpianës.
Sipas tij, projekti fillimisht do të diskutohet me qytetarët, ndërsa nëse merr përkrahjen e tyre, do të procedohet për votim në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Rama ka bërë të ditur se synimi është që hapësira përreth fontanës të shfrytëzohet në funksion të banorëve, duke krijuar më shumë mundësi për gjelbërim, rekreacion dhe aktivitete sportive.






