Rama paralajmëron masa ndëshkuese ndaj personave që kryejnë akte dhune gjatë protestave

- Advertisement -

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paralajmëruar masa ndëshkuese ndaj personave që kryejnë akte dhune gjatë protestave që po mbahen në vend. Ndër opsionet që po shqyrtohen nga mazhoranca është edhe përfshirja e protestuesve të identifikuar si autorë të dhunës në një listë të zezë në sistemin TIMS, me synimin që t’u ndalohet hyrja në vendet e Bashkimit Evropian.

Sipas një raportimi ekskluziv të Report TV, këtë propozim e kanë bërë të ditur burime brenda mazhorancës, derisa paketa e sanksioneve e paralajmëruar nga Rama është ende në diskutim.

Sipas raportimit, ky është vetëm njëri nga opsionet që po shqyrtohen nga pushteti, ndërsa ende nuk është bërë e ditur nëse masa do të miratohet dhe si do të zbatohej në praktikë.

Krahas mundësisë së kufizimit të udhëtimit në vendet e BE-së, Rama ka paralajmëruar edhe masa të tjera ndaj personave që përfshihen në akte dhune gjatë protestave.

Ai ka deklaruar se prindërit do të mbajnë përgjegjësi financiare për dëmet që shkaktojnë fëmijët e tyre të mitur gjatë protestave.

Ndërkaq, studentët që ushtrojnë dhunë ndaj pjesëtarëve të policisë mund të përballen me humbjen e bursave, arsimit falas dhe mbështetjes tjetër financiare nga shteti.

Sanksione janë paralajmëruar edhe për mësimdhënësit që nxisin nxënësit të kryejnë akte dhune, të cilët, sipas raportimit, rrezikojnë ta humbin vendin e punës në institucionet publike.

Megjithatë, propozimi për vendosjen e protestuesve në listë të zezë në TIMS dhe ndalimin e hyrjes së tyre në vendet e BE-së, sipas Report TV, mbetet një opsion në shqyrtim dhe jo një vendim i konfirmuar.

Të ngjashme

Të fundit