Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të marrë pjesë të premten, më 5 qershor 2026, në Samitin BE–Ballkani Perëndimor që zhvillohet në Tivat të Malit të Zi, një takim i rëndësishëm që mbledh liderët e Bashkimit Europian dhe vendeve të rajonit.
Samiti, i cili vjen rreth gjashtë muaj pas mbledhjes së fundit në Bruksel, synon të forcojë bashkëpunimin mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe të rikonfirmojë angazhimin për avancimin e procesit të zgjerimit europian.
Takimi do të drejtohet nga Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, ndërsa vendi mikpritës do të përfaqësohet nga Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq. Në të pritet të marrin pjesë edhe Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, si dhe Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, Kaja Kallas.
Takimi nis të enjten, më 4 qershor, me një darkë informale të liderëve, e organizuar në kuadër të 20-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi.
Ndërsa të premten, më 5 qershor, programi parashikon mbërritjen e delegacioneve dhe deklaratat për mediat në orën 11:00, e ndjekur nga seanca plenare në orën 12:00. Më pas do të zhvillohet fotografia familjare e liderëve dhe një ndërhyrje kulturore, ndërsa në orën 14:00 do të mbahet një drekë pune.
Në orën 16:00 parashikohen daljet për mediat dhe briefimet kombëtare, ndërsa në përmbyllje të samitit, rreth orës 15:30, do të mbahet një konferencë e përbashkët për shtyp./A2CNN






