Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për deputet, Jakup Nura, është shprehur i bindur se Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit nuk do të arrijë të sigurojë mbështetjen e njëjtë nga diaspora dhe qytetarët e Kosovës, siç ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara.
Nura ka thënë se gjatë takimeve me qytetarë brenda dhe jashtë Kosovës ka vërejtur pakënaqësi të madhe ndaj qeverisjes aktuale, duke shtuar se shumë ish-votues të Vetëvendosjes nuk do ta mbështesin më këtë subjekt politik.
“Gjatë kësaj periudhe sa jemi në fushatë, por edhe më parë, unë kam takuar individë dhe familje të cilat hapur e kanë shfaqur pakënaqësinë me pushtetin e tanishëm, të cilët kanë qenë votues dhe përkrahës të LVV-së. Tani kam fakte që shumë familje janë deklaruar se nuk do ta përkrahin më këtë parti”, ka deklaruar Nura.
Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, ai ka vlerësuar se rënia e mbështetjes për Vetëvendosjen po vërehet si në Kosovë ashtu edhe në diasporë.
“Unë e vlerësoj dhe e besoj se kjo është një frikë e pushtetit, që e din se jo vetëm nga mërgata, por edhe një pjesë e qytetarëve rezidentë të Kosovës kanë reflektuar dhe nuk do ta përkrahin më këtë parti, e cila mendoj se nuk ka bërë ndonjë progres për një jetë më të mirë të qytetarëve të saj. Jam i bindur se edhe nga brenda, por edhe nga jashtë Kosovës, votat që i ka marrë Vetëvendosja më parë nuk do t’i vijnë në masën që i kanë ardhur në zgjedhjet e kaluara”, ka thënë ai.
Nura ka ngritur gjithashtu dyshime për procesin e votimit të diasporës, duke pretenduar se vota e mërgimtarëve mund të tjetërsohet ose keqpërdoret gjatë procesit të transportimit në Kosovë.
“Unë e kam shprehur edhe më parë se dyshimet e mia për keqpërdorimin ose tjetërsimin e votës së qytetarëve të mërgatës janë të mëdha. Mendoj se ende nuk kemi krijuar mekanizma të duhur që ajo votë të ruhet dhe të vijë ashtu siç e mendojnë dhe e hedhin në kuti apo në zarfat e tyre. Dyshoj se ajo votë tjetërsohet dhe keqpërdoret gjatë rrugëtimit nga diaspora deri në Kosovë dhe prapa kësaj qëndron Lëvizja Vetëvendosje dhe pushteti i instaluar nëpër ambasadat dhe konsullatat e Kosovës”, ka deklaruar ai.
I pyetur nëse beson se institucionet kompetente do të zbulonin eventualisht parregullsi në procesin e votimit, Nura ka theksuar se dyshimet e tij mbështeten edhe në përvojën personale.
“Unë e them këtë pasi që personalisht e kam pësuar në këtë drejtim. Në disa shtete të ndryshme perëndimore kam familjarë të mi dhe pjesa dërrmuese e atyre votave nuk kanë ardhur, ndonëse familjarët e mi dhe njerëzit që kam jashtë Kosovës më kanë deklaruar se kanë votuar”, ka përfunduar Nura.






