Rama, Gashi, Bajrami – Rritet numri ‘zyrtar’ i kundërkandidatëve të Abdixhikut, pritje për zgjedhje ‘‘sa më të shpejta’’

- Advertisement -

Pakënaqësitë ndaj të parit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, vazhdojnë të jenë të shumta nga bashkëpartiakët, dhe me to, po rritet edhe numri i kandidaturave për kryetar të kësaj partie. Pavarësisht se tashmë Abdixhiku u ‘mbijetoi’ dy kuvendeve të kësaj partie ku u vu në pikëpyetje lidershipi e tij, ai mund të përballet edhe me një tjetër në një të ardhme të afërt.

Vetë Abdixhiku, ka refuzuar dorëheqjen ani pse i është kërkuar zëshëm, duke thënë se procesi i ardhshëm zgjedhor në LDK është në nëntor të vitit 2027.

Porse, krejt ndryshe mendojnë disa nga figurat më kryesore të kësaj partie. I pari që konfirmoi kandidaturën për të parin e LDK’së, ishte Përparim Rama.

Ani pse ky i fundit e ka ritheksuar sa e sa herë se s’është anëtar i LDK’së, ka konfirmuar se do të garojë për pozitën e të parit në këtë parti. Kryetari i Prishtinës, në një deklarim për media, ka thënë se Abdixhiku do të ‘’bënte mirë’’ nëse dorëheqit.

Pas tij, kandidaturën për kryetar të Lidhjes Demokratike e ka konfirmuar edhe Arben Gashi. Gashi, në Pressing në T7, ditë më parë, ka konfirmuar se ‘’nëse hapet gara’’ atëherë ai do të jetë kandidat.

“Gjasat maksimale janë që po, nëse do kemi një garë të mirëfillt, të hapur dhe demokratike. Nëse nuk ka konsensus për ndonjë kryetar, hapet gara dhe do jem….Nëse do ketë konsensus paraprak në kompromis nuk duhet të jemi destruktiv, nëse hapet gara do jem kandidat”, ka deklaruar para disa ditësh Gashi në Pressing, transmeton Express.

Figurë tjetër e rëndësishme që ka konfirmuar kandidaturën është edhe deputetja Hykmete Bajrami.

Edhe kjo, e ftuar në Pressing në T7, ka deklaruar se ajo është e ‘’interesuar’’ për këtë çështje dhe se, sipas saj ‘’do të ishte mirë’’ që të ketë zgjedhje në LDK sa më shpejt.

“Unë kam interesim dhe do kandidoj për kryetare të LDK-së në zgjedhjet e ardhshme kurdo që janë dhe do ishte mirë t’i kemi sa më shpejtë që është e mundur”, tha Bajrami në mbrëmë Pressing.

Përveç këtyre treve, ka edhe emra të tjerë që janë përmendur si kandidatë potencial për liderin e ardhshëm të LDK’së.

Një nga ta është edhe Avdullah Hoti. Ani pse ky i fundit s’e ka konfirmuar një gjë të tillë, i njëjti as nuk e ka mohuar që ai mund të jetë potencialisht pjesë e garës. Hoti, ka qenë një nga kritikët më të mëdhenjë të Abdixhikut, duke kërkuar edhe dorëheqjen e tij në shumë raste.

Emër tjetër potencial që mund të jetë në garën e brendshme të LDK’së, është edhe ai i Kujtim Shalës. As ky i fundit s’e ka konfirmuar një gjë të tillë, porse, Shala është një nga anëtarët më të hershëm të LDK’së, dhe shihet si figurë që gëzon respekt si brenda kësaj partie, por edhe më gjerë. Ky i fundit, nga Hoti, është parë edhe si person që do i bënte ‘’nder’’ LDK’së nëse do të ishte në krye të saj.

Të ngjashme

Të fundit