Rama fton Japoninë të investojë në hekurudhën Durrës-Prishtinë

- Advertisement -

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me përfaqësues të sipërmarrjes japoneze, ku një nga çështjet kryesore të diskutimit ishte mundësia e investimit të Japonisë në projektin e hekurudhës Durrës–Prishtinë.

Përmes një reagimi në media sociale, Rama bëri të ditur se Shqipëria dhe Kosova janë të interesuara për përfshirjen e investitorëve japonezë në këtë projekt strategjik, i cili parashikon lidhjen hekurudhore nga Durrësi në Prishtinë, për të vijuar më pas drejt Nishit dhe Evropës Qendrore.

Kryeministri zbuloi se për këtë projekt ka diskutuar disa herë edhe me homologun e tij të Kosovës, Albin Kurti, duke vlerësuar se angazhimi japonez do të ishte i mirëpritur.

Rama theksoi gjithashtu rëndësinë strategjike të hekurudhës për NATO-n, veçanërisht për shkak të Portit të ri të Durrësit, i cili sipas tij do të ketë një linjë të dedikuar për veprimtaritë ushtarake dhe ato të Aleancës.

“Kjo hekurudhë ka gjithashtu rëndësi shumë, shumë të madhe për NATO-n për shkak të Portit të ri në Durrës, i cili do të ketë edhe një degë të dedikuar 100% për veprimtaritë ushtarake dhe ato të NATO-s”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare i ftoi sipërmarrësit japonezë të shqyrtojnë projektin dhe të paraqesin vlerësimet e tyre mbi mundësinë e investimit.

Ai nënvizoi se Shqipëria dhe Kosova janë të gatshme të bashkëpunojnë me Japoninë dhe çdo partner të saj për të shqyrtuar realizimin e kësaj infrastrukture.

Projekti Durrës–Prishtinë synon të krijojë një korridor të ri transporti dhe lidhjeje rajonale, me rëndësi për lëvizjen e mallrave, pasagjerëve dhe, sipas deklarimeve të kryeministrit, edhe për infrastrukturën logjistike të NATO-s.

Të ngjashme

Të fundit