Për këtë ka reaguar Anotacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), duke kërkuar nga KOHA që ta tërheq padinë ndaj gazetares.
AGK-ja në njoftim thekson se e konsideron këtë një veprim të paprecedentë dhe jashtëzakonisht shqetësues, veçanërisht duke pasur parasysh se padia është iniciuar nga një shtëpi mediatike ndaj një gazetareje ku ajo ka dhënë kontribut.
Reagimi i AGK:
AGK-ja shpreh shqetësim të thellë për padinë e Grupit KOHA ndaj gazetares Shpresa Hasimi dhe kërkon tërheqjen e saj
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka pranuar me shqetësim të thellë lajmin për padinë e ngritur nga Grupi KOHA ndaj gazetares Shpresa Hasimi, përmes së cilës kërkohet kompensim financiar prej 5 mijë eurosh, për shkak të dorëheqjes së saj para përfundimit të një periudhe pesëvjeçare, të përcaktuar në një dokument të quajtur “Kontratë mbi Sponsorizimin e Trajnimeve Profesionale”.
AGK-ja e konsideron këtë një veprim të paprecedentë dhe jashtëzakonisht shqetësues, veçanërisht duke pasur parasysh se padia është iniciuar nga një shtëpi mediatike ndaj një gazetareje ku ajo ka dhënë kontribut.
Sipas deklarimit publik të gazetares Hasimi, nënshkrimi i dokumentit në fjalë ishte vendosur si kusht për punësim, pas një periudhe trajnimi dhe pune praktike pa kompensim financiar.
AGK-ja vlerëson se praktika të tilla, përveç pasojave të drejtpërdrejta për gazetarët e përfshirë, rrezikojnë të krijojnë një precedent të dëmshëm dhe një mjedis pasigurie për profesionistët e medias, duke cenuar lirinë e tyre për të marrë vendime të pavarura lidhur me zhvillimin profesional dhe marrëdhëniet e punës.
AGK-ja qëndron në solidaritet të plotë me gazetaren Shpresa Hasimi dhe do ta mbështesë atë me të gjitha kapacitetet e saj institucionale dhe profesionale. Përfaqësimi i saj ligjor po bëhet nga avokati Yll Zekaj, Zyrtar Ligjor i AGK-së, i siguruar falë mbështetjes së Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit dhe pa paragjykuar epilogun e procesit gjyqësor, AGK-ja i bën thirrje Grupit KOHA që të tërhiqet nga padia ndaj gazetares Shpresa Hasimi, duke dëshmuar respektim të të drejtave të gazetarëve.
AGK-ja rithekson se shtëpitë mediatike duhet të jenë shembull në mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve dhe në krijimin e kushteve të drejta të punës, e jo të ndërmarrin veprime që mund të ushtrojnë presion financiar dhe profesional ndaj tyre. AGK-ja do ta përcjellë nga afër këtë proces dhe do të vazhdojë të angazhohet për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve në Kosovë.






