Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar ministrin e Arsimit, Hajrulla Çekun, për vonesat në sigurimin e teksteve shkollore, duke e lidhur këtë me kritikat e tij të mëhershme ndaj menaxhimit të trashëgimisë kulturore, shkruan Scanner.
Sipas Ramës, Çeku, gjatë kohës si ministër i Kulturës, la në renovim për vite me radhë institucione të rëndësishme kulturore, ndërsa tash, në cilësinë e ministrit të Arsimit, sipas tij, po dështon edhe në përgatitjen e procesit mësimor për 1 shtator.
“1 shtatori po vjen dhe nuk arriti me ua siguru nxënësve mjetin bazë të mësimit, LIBRAT.”
Rama e përmbyll reagimin me një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj qeverisjes: “Kudo që janë këta, veç një punë dinë me bo – ME BLLOKU!”
Postimi i plotë:
1 SHTATORI – PA LIBRA!
Hajrulla Çeku si ministër i Kulturës mbahet mend që e bllokoi krejt Prishtinën jashtëligjshëm, tu e përdorë një draft dokument për trashëgimi kulturore që u bë akt ligjor tek tash më 5 qershor 2026.
E la krejt Kosovën pa “Teatër Kombëtar”, i cili qe 4 vjet është në renovim. I bie që një gjeneratë e “Akademise se Arteve” i ka nisë studimet edhe ka diplomu pa shku kurrë në Teatrin Kombëtar.
E la krejt Kosovën edhe pa “Muze Kombëtar”, i cili me vite është në renovim, duke i rreziku edhe krejt reliktet aty, të cilat janë vendosë në hapsira joadekuate per ruajtje.
Tash, si ministër i Arsimit, e bllokoi edhe procesin mësimor. 1 shtatori po vjen dhe nuk arriti me ua siguru nxënësve mjetin bazë të mësimit, LIBRAT.
Kudo që jane këta, veç nje punë dijnë me bo, ME BLLOKU!
Mjerë ky popull për ju. Qe 6 vjet veç prralla jeni tu i kallxu.






