Kreshnik Radoniqi, kryetar i KQZ-së, në një konferencë për media tha se sipas të dhënave, “deri në këtë kohë votimi është duke u zhvilluar në kushte të rregullta dhe pa probleme”.
Ai deklaroi se “deri në orën 11:00 votimi është 162 mijë e 439 votues, apo 8.29%, tha Radoniqi”, transmeton Gazeta Express..
Radoniqi tha se “për të siguruar koordinim dhe reagim efektiv gjatë procesit zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vënë në funksion dhomën operative, ku janë të përfshirë zyrtarë të KQZ-së, si dhe përfaqësues të Prokurorisë së Shtetit, Policisë së Kosovës dhe KEDS. Kjo qendër është aktive gjatë gjithë ditës së sotme të votimit dhe shërben për përcjelljen e zhvillimeve në terren, shkëmbimin e informacioneve dhe trajtimin e çështjeve që mund të paraqiten gjatë procesit. Çdo raportim i pranuar nga institucionet dhe strukturat përgjegjëse është duke u shqyrtuar me kujdes dhe në përputhje me kompetencat dhe procedurat ligjore në fuqi të secilit institucion”.
Tutje, sipas Radoniqit “deri në të njëjtën kohë, në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025, sipas të dhënave nga rreth 94% e vendvotimeve, kishin votuar 8.27% apo 165 mijë e 404 votues nga 1 milionë e 999 mijë e 204 votues”.
Konferenca e tretë e KQZ-së mbahet në orën 15:30, në të cilën është planifikuar të paraqitet pjesëmarrja në votime deri në orën 15:00 dhe ecuria e procesit zgjedhor deri në atë kohë.






