Daut Krasniqi, vëllai i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka folur faktin që nuk iu lejua të takonte nga afër të vëllain gjatë vizitës së tij katër-ditore në Kosovë.
Gjatë këtyre ditëve, Daut Krasniqi është parë disa herë duke qëndruar pranë shtëpisë të së vëllait në lagjen Velani të Prishtinës, madje edhe në ballkonin e shtëpisë së tij, me shpresën që të paktën ta shihte Jakupin.
Në një lidhje direkte në edicionin e lajmeve të Klan Kosovës, gazetarja Endrita Bajrami e intervistoi atë, ku ai shprehu merakun për ta takuar të vëllain.
“Qysh nuk është marak me pa. Po s’e lejun, çka me bo…”, u shpreh Dauti.
I pyetur nga gazetarja nëse kishte kërkuar që takimi të realizohej përmes zyrtarëve të EULEX-it apo avokatëve, ai u përgjigj shkurt:
“Jo, jo, s’kemi kërku”, tha ai.
Ndërkohë, vizita katër-ditore e Jakup Krasniqit në Kosovë ka përfunduar dhe ai është nisur drejt Aeroportit për t’u kthyer në Hagë. Vizita iu mundësua nga Dhomat e Specializuara të Kosovës për arsye humanitare, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të bashkëshortes së tij, Sevdijes.






