Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka njoftuar se pacientët e përfshirë në programin e hemodializës do të trajtohen përkohësisht në qendrat më të afërta me vendbanimin e tyre, për shkak të punimeve renovuese në Qendrën e Hemodializës.
Sipas Klinikës së Nefrologjisë, ky organizim është bërë për të garantuar vazhdimësinë e trajtimit dhe shmangien e çdo ndërprerjeje të shërbimeve.
“Kjo është bërë me qëllim të sigurimit të vazhdimësisë së trajtimit dhe ruajtjes së standardeve të larta të kujdesit shëndetësor”, thuhet në njoftim.
QKUK bëri të ditur se sistemimi i pacientëve është realizuar në koordinim me institucionet shëndetësore përkatëse, ndërsa pas përfundimit të renovimeve, “aktiviteti i hemodializës do të rikthehet në Qendrën e Hemodializës pranë QKUK-së”.






