Vlora Hyseni  do të jetë në krye të intelegjencës shqiptare, me rekomandim të kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

Për Hysenin, nuk do të jetë hera e parë që provon një pozitë udhëheqëse në një institucion me ndjeshmëri të tillë, shkruan lajmi.net.

Ajo kishte qenë zv/drejtoreshë edhe në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, derisa ishte shkarkuar nga presidentja Osmani e kryeministri Kurti.

Në njoftimin e zyrës së Kurtit në atë kohë, thuhej se vendimi e obligon Hysenin që të dorëzojë të gjitha mjetet dhe materialet me të cilat ka qenë e ngarkuar.

Gjithashtu, ajo ishte paralajmëruar se obligohet që t’i ruaj të gjitha informacionet që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës së saj.

Në të kundërtën, siç paralajmëronte zyra e kryeministrit, ajo do të konsumonte një vepër penale që ka të bëj me zbulimin e informacionit të klasifikuar.

“Vendimi është marrë në mbështetje të nenit 6 (paragrafi 4) të Ligjit Nr.03/L-063 për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (GZ, Nr. 30, 15 qershor 2008). Vendimi për shkarkim e obligon znj. Vlora Hyseni të bëjë dorëzimin e të gjitha mjeteve dhe materialeve me të cilat ka qenë e ngarkuar. Gjithashtu, znj. Vlora Hyseni, sipas vendimit, obligohet që të ruaj të gjitha informacionet që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës, pavarësisht sesi i është dhënë qasja në to apo si i ka pranuar ato, apo në çfarëdo forme tjetër ka arritur të posedoj informacione të klasifikuara. Zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara paraqet vepër penale të dënueshme sipas Kodit nr.06/074 Penal të Republikës së Kosovës, Ligjit Nr.03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë dhe legjislacionin tjetër përkatës në fuqi që ka të bëjë me informacionin e klasifikuar”, thuhej në njoftimin e Qeverisë.

Propozimin për emërimin e Hysenit në Shërbimin Intelegjent Shqiptar e ka dhënë kryeministri Edi Rama, të cilin ia ka dorëzuar presidentit, Ragip Begaj.

Rama në propozimin e tij është shprehur i bindur se përvoja e Hysenit do t’i kryejë punë shumë shërbimit shqiptar të Intelegjencës.

“Sot i paraqita Presidentit të Republikës propozimin për emërimin e Znj.VLORA HYSENI drejtore e Shërbimit Informativ të Shtetit, me besimin e plotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që zonja Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar”, ka shkruar Rama në Facebook.