28.7 C
New York
Saturday, July 27, 2024

Buy now

“Qeveri klienteliste”, opozita dhe shoqëria civile akuzon Qeverinë Kurti për kapje të BQK-së

- Advertisement -

Opozita dhe shoqëria civile kanë kërkuar hetim për këtë proces.

Sipas tyre, kjo është një kapje e institucioneve të pavarura nga Qeveria Kurti.

Më i ashpër në reagim ka qenë ish-kryeministri Avdullah Hoti.

Ai ka bërë me dije se nga Guvernatori dhe Bordi i BQK-së duhet të sqarohet për këtë rast.

“Dyshimet e ngritura lidhur me integritetin dhe mënyrën e përzgjedhjes së njërit nga zëvendësguvernatorët e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) duhet të sqarohen sa më parë nga Guvernatori dhe Bordi i BQK-së, dhe sipas nevojës edhe nga organet përkatëse të sigurisë dhe inteligjencës. BQK-ja është institucioni kryesor në vend që ruan stabilitetin financiar në Kosovë, e cila është ndërtuar me mbështetje shumë të rëndësishme nga partnerët tanë. Integriteti dhe besimi i publikut në këtë institucion vital nuk guxojnë të cenohen. Ndryshe hyjmë në një cikël të rrezikshëm”, ka shkruar Hoti në profilin e tij në “Facebook”.

Ai ka treguar se për këtë çështje guvernatori i BQK-së duhet të raportojë në Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit.

“Unë sot i kam propozuar Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës të ftojë nesër në raportim Guvernatorin dhe Bordin e BQK-së për këtë çështje. Besoj se është obligim i këtij Komisioni Parlamentar të shqyrtojë këtë çështje me qëllim të ruajtjes së ligjshmërisë dhe integritetit e besueshmërisë së publikut në Bankën Qendrore të Kosovës”, ka shkruar Hoti.

Ndërsa, drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë se ky veprim flet që Qeveria Kurti është qeveri klienteliste.

“Muaji janar muaj i frytshëm për dostat e Albin Kurtit duke i rahatuar nëpër pozita ku paga shkon prej 1800 euro në muaj e më shumë. Qeveritë klienteliste si e Albin Kurtit veprime si këto në masë i merr kryesisht në kohën kur vjen era zgjedhje të reja. Me lekë të buxhetit të shtetit e blen kritikën dhe secilin që e vendos veten në pazar. Sa më shumë që i del në mbështetje qeverisë mundësitë me marrë pozita nga Kryeministri dhe partia në pushtet janë më të mëdha. Korrupsioni në Kosovë është endemik dhe mbështetet fuqishëm nga partia në pushtet”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Edhe gazetari Parim Olluri e ka kritikuar Qeverinë Kurti për kapje të institucioneve të pavarura.

“Bashkim Nurboja, ish-kandidat për deputët i VV-së dhe ish-kandidat i partisë për kryetar të Pejës. Bëhet kryesues i Bordit të Bankës Qendrore. Nexhat Kryeziu, ish-kandidat i VV-së për deputet bëhet anëtar i Bordit të Bankës Qendrore. Milot Cakaj, ish-këshilltar i Kurtit bëhet zëvendësgurvernator i Bankës Qendrore. Ky është hetrik i kapjes së një institucioni të pavarur. Jepjani dikush Kurtit Topin e Arte për kapje të institucioneve”, ka shkruar Olluri.

Dje, Banka Qendrore e Kosovës edhe zyrtarisht ka njoftuar për kompletimin e Bordit Ekzekutiv.

Pas Bashkim Nurbojës që ishte kandidat për deputet e për kryetar të Pejës nga VV-ja, dhe pas Nexhat Kryeziut gjithashtu kandidat për deputet, një tjetër i afërt me pushtetin është dërguar në BQK.

Fjala është për Milot Cakajn. BQK-ja ka njoftuar se Cakaj është emëruar zv/guvernator në këtë institucion, raporton Nacionale.

“Përzgjedhja është bërë sipas kërkesave të Ligjit të BQK-së përmes një procesi konkurrues dhe meritor, me propozim të Guvernatorit. Zëvendësguvernatorët e emëruar znj. Nesrin Shileku – Shala dhe z. Milot Cakaj do të jenë përgjegjës primar për fushën e Mbikëqyrjes Financiare, Praktikat e Tregut, Rishqyrtimin dhe Shërbimet e Përgjithshme. Të tre zëvendësguvernatorët së bashku me Guvernatorin përbëjnë Bordin Ekzekutiv, vendimet e të cilit janë kolegjiale”, është thënë në njoftimin e BQK-së. /Nacionale/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit