Avokati Artan Qerkini ka komentuar pritjet për shpalljen e aktgjykimit në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke theksuar se gjykata duhet të tregojë efikasitet, por pa cenuar cilësinë e vendimmarrjes.
Duke folur Five në TV Dukagjini, Qerkini tha se deri më tani nuk është caktuar një datë konkrete për shpalljen e aktgjykimit, ndonëse trupi gjykues e ka zgjatur afatin për nxjerrjen e vendimit deri më 20 korrik.
Sipas tij, do të ishte e arsyeshme që gjykata së paku deri në këtë datë të dalë me një vendim, duke pasur parasysh se ky trup gjykues është marrë vetëm me këtë lëndë.
“Nuk është caktuar një datë, në të cilën do të shpallej aktgjykimi. Mendoj që trupi gjykues është dashur që së paku deri më 20 korrik të dal me një vendim. Ngase, ky trup gjykues e ka pasur vetëm këtë lëndë. Ne e dimë që vëllimi i provave dhe dëshmitarëve ka qenë shumë i madh, mirëpo gjykata sipas metodologjisë së punës saj edhe gjatë procedurës i vlerëson provat. Nuk është se grumbullohen të gjitha provat për t’i vlerësuar në fund të procesit”, ka thënë Qerkini.
Ai vuri theks të veçantë te fakti se të akuzuarit vazhdojnë të mbahen në paraburgim, duke theksuar se kjo rrethanë kërkon efikasitet më të madh nga ana e gjykatës.
“Edhe duhet ta kemi parasysh një fakt se pandehurit janë në paraburgim. Ndryshe kish me qenë një situatë, nëse të pandehur të mbroheshin në liri, atëherë çfarëdo lloj shtyrje nuk do të kishte prodhuar ndonjë efekt të madh. Mirëpo në kohën ata mbahen të privuar nga liria, pa një aktgjykim të formës së prere për fajësinë tyre. Atëherë gjykata duhet të jetë më efikase”, ka shtuar Qerkini.
Megjithatë, Qerkini theksoi se përkundër rëndësisë së afateve kohore, prioritet duhet të mbetet vlerësimi i drejtë dhe i plotë i provave.
“Mirëpo përtej kësaj, është ëme rëndësishme që gjykata t’i vlerësoj faktet, të marr kohën e duhur t’i vlerësoj provat dhe faktet në mënyrën e duhur, sesa të sjellë një vendim të nxituar”, ka theksuar avokati.
Aktualisht, Dhomat e Specializuara nuk kanë marrë ndonjë vendim të ri për shtyrjen e afatit përtej 20 korrikut 2026, çka nënkupton se aktgjykimi pritet të shpallet brenda kësaj periudhe, përveç nëse trupi gjykues vendos ndryshe.






