Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka deklaruar se institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin veprime konkrete lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, Qelaj tha se fokusi i institucioneve duhet të jetë te procesi i apelit, duke kërkuar që veprimet shtetërore të jenë të koordinuara dhe të bazuara në një strategji të qartë.
“Unë mendoj që krejt vëmendja jonë duhet me u fokusu tek apeli, sepse ne kemi humbur betejën në gjykatë. Në gjykatë duhet të fitohet drejtësia. Ne nuk po luftojmë dhe nuk është interesi i qytetarëve të Republikës së Kosovës me e zhvillu politikë karshi gjykatës, por me e kërku prej gjykatës drejtësi”, tha Qelaj.
Ai theksoi se, përveç ndryshimeve të mundshme ligjore dhe krijimit të një ekipi shtetëror për koordinimin e veprimeve, Kosova duhet t’i ngrejë shqetësimet e saj edhe para Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës.
“Duhet me kërku përgjegjësi prej tyre, sepse në fund të fundit, në çdo komunikim që unë kam pas me nivelet e Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës është thënë që nuk do të ketë ndërhyrje në drejtësi, që ata nuk ndërhyjnë në këto çështje. Po sa duket kanë harruar që ata mbikëqyrin respektimin e standardeve edhe të gjykatave kur flitet për sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut”, tha Qelaj.






