Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar të gjitha ankesat e paraqitura pas përfundimit të procesit të numërimit të votave.
Sipas vendimeve të publikuara sot, janë refuzuar ankesat e dy kandidatëve për deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Qëndrim Kryeziu dhe Bekim Haxhiu, të cilët në ankesa të ndara kishin kërkuar rinumërim të plotë të votave të kandidatëve të subjektit të tyre politik.
Po ashtu, PZAP ka refuzuar edhe ankesën e Listës Serbe, si dhe dy ankesa të paraqitura nga Nova Demokratska Stranka. Të gjitha ankesat kishin të bënin me pretendime për parregullsi gjatë procesit të votimit dhe numërimit të votave.
Në arsyetimin e vendimeve, PZAP ka vlerësuar se të gjitha ankesat janë të pabazuara dhe nuk përmbajnë prova të mjaftueshme për të justifikuar kërkesat e parashtruesve.
Palët kanë të drejtë t’i ankimojnë vendimet në Gjykatën Supreme brenda afatit ligjor prej 48 orësh. Nëse nuk ushtrohen ankesa, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) i hapet rruga për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.
Zgjedhjet e parakohshme u mbajtën pasi Kuvendi i Kosovës dështoi ta zgjedhë Presidentin e vendit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Në seancën e fundit, e cila kishte nisur më 27 prill dhe përfundoi më 28 prill, nuk u sigurua kuorumi i nevojshëm për votim.






