Presidenti rus, Vladimir Putin, u është shmangur pretendimeve se Koreja e Veriut ka dërguar ushtarë në Rusi, duke këmbëngulur se i përket Moskës që të vendosë se si ta trajtojë klauzolën për mbrojtje të përbashkët me Penjanin.
Duke folur në mbyllje të samitit BRICS në qytetin Kazan të enjten, ai e akuzoi Perëndimin për përshkallëzimin e luftës në Ukrainë dhe tha se vendet perëndimore “po jetojnë në një iluzion”, nëse mendojnë se mund t’i shkaktojnë humbje strategjike Rusisë, raporton gazeta “The Guardian”.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se kanë parë dëshmi që Koreja e Veriut kishte dërguar tre mijë trupa në Rusi për dislokim të mundshëm në Ukrainë, lëvizje që do të mund të shënonte sfidë thelbësore për Ukrainën për shkak të mungesës së fuqisë njerëzore.
Kur u pyet nga një reporter rreth pamjeve satelitore ku shfaqen lëvizjet e trupave të Koresë së Veriut, Putini tha: “Pamjet janë gjë serioze. Nëse ka pamje, atëherë ato pasqyrojnë diçka.”
Ai i përsëriti pretendimet e veta se Perëndimi e kishte përshkallëzuar krizën në Ukrainë dhe tha se oficerë e instruktorë të NATO-s janë të përfshirë drejtpërdrejt në luftën e Ukrainës.
“Ne e dimë se kush është i pranishëm atje, nga cilat shtete të NATO-s dhe si e kryejnë ata këtë punë” – tha kreu i Kremlinit.