Organizata Albanians for America ka mirëpritur prezantimin në Senatin e Shteteve të Bashkuara të “SRBIJA Act”, duke e cilësuar mbështetjen e kësaj nisme në të dyja dhomat e Kongresit si tregues të vëmendjes në rritje të Washingtonit ndaj zhvillimeve politike në Serbi.
Në një reagim publik, organizata vlerëson se mbështetja dypartiake në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve tregon shqetësim për zhvillimet demokratike në Serbi, përfshirë, siç thuhet në reagim, “cenimin e standardeve demokratike, presionin ndaj mediave, manipulimin e institucioneve dhe pengimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme”.
Albanians for America thekson se në qasjen amerikane ndaj Serbisë duhet të merret parasysh edhe sjellja e Beogradit ndaj Kosovës, veçanërisht çështjet që lidhen me sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
“Është e rëndësishme që politika amerikane të marrë parasysh edhe sjelljen e Serbisë ndaj Kosovës dhe veprimet që kanë cenuar drejtpërdrejt paqen dhe sigurinë në rajon”, thuhet në reagim.
Organizata përmend veçanërisht sulmin e armatosur në Banjskë në shtator të vitit 2023, duke e cilësuar atë si “një nga rastet më serioze të viteve të fundit”. Sipas Albanians for America, Serbia vazhdon të mos pranojë përgjegjësinë për rastin dhe nuk ka realizuar ekstradimin e Milan Radoiçiqit dhe personave të tjerë të përfshirë, sipas pretendimeve të organizatës.
Në reagim përmendet edhe sulmi ndaj infrastrukturës kritike në Ibër-Lepenc, për të cilin organizata thotë se dëshmoi se kërcënimet ndaj sigurisë së Kosovës “nuk janë vetëm retorike”, por mund të shndërrohen në sulme konkrete ndaj infrastrukturës dhe stabilitetit të vendit.
Në këtë kuadër, Albanians for America kërkon që çështja e Kosovës të jetë pjesë e qasjes amerikane ndaj sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
“Pranimi i realitetit të Kosovës si shtet i pavarur dhe angazhimi i Serbisë për të mos ndërmarrë veprime që cenojnë sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës duhet të jenë pjesë e një qasjeje të qëndrueshme amerikane ndaj paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në deklaratë.
Organizata shpreh shqetësim edhe për marrëdhëniet e Beogradit me Moskën dhe Pekinin, duke vlerësuar se orientimi i Serbisë drejt partneritetit politik dhe strategjik me Rusinë dhe Kinën kërkon “vëmendje serioze” nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre.
Në fund të reagimit, Albanians for America u shpreh mirënjohje senatorëve Chuck Grassley dhe Richard Blumenthal, si dhe anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve që kanë mbështetur nismën, për atë që organizata e cilëson si angazhim ndaj “demokracisë, zgjedhjeve të lira, lirisë së medias, sundimit të ligjit dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.
“SRBIJA Act” është paraqitur në Senat nga republikani Chuck Grassley dhe demokrati Richard Blumenthal. Nisma është regjistruar si S.5611 në Kongresin e 119-të. Teksti i plotë i projektligjit, sipas të dhënave të disponueshme deri më 1 tetor, nuk ishte publikuar ende, ndaj përmbajtja konkrete e masave që mund të parashikohen në të mbetet për t’u bërë publike.






