Një punëtor ka humbur jetën të mërkurën në vendin e tij të punës në zonën industriale të Shtimes, në rrethana që po hetohen si shkelje e sigurisë në punë.
Rasti i rëndë raportohet se ndodhi në kompaninë “Doni Fruits” në Shtime.
Viktima është Isuf Bislimi. Siç raportoi Sinjali, ai dyshohet se është goditur rëndë në kokë nga dera hidraulike e një kamioni që është mbyllur derisa ai po punonte në depo. Ai fillimisht është dërguar në emergjencë në Shtime dhe më pas në Ferizaj, por nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.
Gjatë hetimeve janë intervistuar dy persona, sipas Sinjalit, ndërsa menaxheri i ndërrimit të pasdites është arrestuar dhe është ndaluar për 48 orë.
Gazeta Express provoi të marrë një qëndrim nga kompania. Një grua që u prezantua në telefon si “pjesë e stafit” tha se nuk është e autorizuar të flasë, kur u pyet për informacione rreth këtij rasti, duke shtuar se ndodhej në pushim në momentin e kontaktit.
“Më fal, nuk jam e autorizuar te jap informacione. Momentalisht jam në pushim”, tha ajo.
Policia e Ferizajt ka bërë të ditur mbrëmë se rasti është iniciuar për shkelje të sigurisë në vendin e punës, asgjësim apo dëmtim të pajisjeve mbrojtëse.
Zëdhënësi Kanun Veseli tha se në vendin e ngjarjes kishin dalë hetuesit, krim-teknika dhe inspektorët e punës, të cilët kishin nisur ekzaminimin e rrethanave.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion.






