Edhe pak kohë ka mbetur kur Kuvendi mbyll punimet për sesionin pranveror.Por, ky sesion, po vlerësohet si joefikas dhe me punë mjaft të dobët.
Kështu tha për “Gazeta Blic” njohësi i zhvillimeve politike, Blerim Burjani.
Burjani tha se nuk ka patur kreativitet përveç propozimeve të disa ligjeve që u hodhën poshtë nga Gjykata Kushtetuese.
“Kuvendi ishte shumë i dobët në efikasitet, përkundër një shumice të madhe që ka VV-ja.
Rezultati i efikasitetit është shumë i dobët, nuk ka pas kreativitet përveç disa propozime te ligjeve që janë hedh poshtë nga Gjykata Kushtetuese për të cilat kam thënë edhe shumë më herët që ato bien ndesh me Kushtetutën dhe është ditur që nuk kalojnë fare” tha Burjani për “Gazeta Blic”Ai tutje tha se nuk janë të befasuar duke e ditur që shumica e deputetëve janë pa përvojë adekuate.
“Jemi të dëshpëruar, por jo te befasuar kur dihet që shumica e deputetëve janë pa pervojë adekuate për ndonjë fushë apo thënë shkurt s’kan profil profesional të caktuar” deklaroi Burjani për “Gazeta Blic”.
Edhe Naim Jakaj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha se puna e kësaj legjislature është karakterizu nga puna e dobët për arsye të mungesës së thellë të transparencës parlamentare.
“Puna e kësaj legjislature është karakterizu nga puna e dobët për arsye të mungesës së thellë të transparencës parlamentare ashtu siç kërkohet nga Kushtetuta e Kosovës dhe nga rregullorja e punës së Kuvendit. Kuvendi ka miratuar rregullore ku kërkohet publikimi i votimit elektronik, publikimi i votimit me dorë dhe çështjet e tjera që lidhen me transparencën pra publikimin e mbledhjeve online të Komisioneve parlamentare. Në këtë drejtim Kuvendi ka dështuar gjatë kësaj legjislature dhe ka vazhduar të dështoj edhe gjatë këtij sesioni pa kryer një rol të tillë të transparencës”.
Jakaj tha se Kuvendi ka dështuar t’a luaj rolin e vet kushtetues sipas ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit dhe sipas Rregullores së Kuvendit.
“Në anën tjetër ka munguar planifikimi i duhur i punës së Kuvendit, sipas Rregullores kërkohet që të bëhet miratimi i një plani të punës ku edhe Komisionet edhe seancat plenare e miraton këtë plan, ka punë ad-hog dhe kësaj pune ja shesh edhe sherrin me çështjen e renovimit të sallës ku po bëhet tashmë digjitalizimi i saj. Pra në vend të shkohet që të shkohet në renovimin e sallës për çështje që lidhen me teknikën gjatë kohës kur Kuvendi është në pushim në muajin gusht, Kuvendi, siç e dini ka shkuar në renovim të sallës në muajt kur puna e Kuvendit intensifikohet edhe në komisione edhe në seancë plenare. Rrjedhimisht tani s’po kemi edhe seanca dhe të njëjtat kur po mbahen ato janë me probleme të mëdha teknike sepse seancat po mbahen në një sallë të improvizuar. Pra Kuvendi ka dështuar ta luaj rolin e vet kushtetues sipas ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit dhe sipas Rregullores së Kuvendit. Kjo e ka karakterizuar edhe më herët Kuvendin në vitin 2021, 2022, 2023 po e përcjell edhe këtë sesion” tha Jakaj në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic”.