Mërgimtarët që kanë marrë fletëvotime me postë kanë filluar t’i publikojnë ato të plotësuara në rrjete sociale, duke e kthyer votimin në një lloj “kuizi”, madje në disa raste duke e shfaqur hapur edhe preferencën politike.
Në disa video, votuesit shihen duke e ekspozuar fletëvotimin apo duke përfshirë edhe familjarë e fëmijë, në procesin e zgjedhjes së subjektit politik.
Sipas ish-kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, kjo paraqet cenim të fshehtësisë së votës, ndonëse jo domosdoshmërisht përbën vepër penale në të gjitha rastet sipas Kodit Penal të Kosovës.
Ekspertë të zgjedhjeve vlerësojnë se çdo publikim i fletëvotimit mund të konsiderohet shkelje ligjore dhe duhet të trajtohet nga institucionet përkatëse.






