Pse humbi Kosova nga Turqia? – Flet për herë të parë Agim Ademi (Video)

- Advertisement -

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka folur për humbjen e Kosovës ndaj Turqisë dhe eliminimin nga ëndrra për kualifikim në Kupën e Botës.

Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Sports Show” në Klan Kosova, Ademi ka thënë se zhgënjimi pas ndeshjes ishte i madh, por sipas tij Kosova duhet të jetë krenare për rrugëtimin që bëri.

“Kemi pasur krenarinë deri në ndeshjen e fundit dhe edhe shpresën, krenarinë nuk e kemi humbur, por zhgënjimin e kemi pasur për ndeshjen e fundit normalisht, se kemi qenë shumë afër”, deklaroi Ademi.

Ai e vlerësoi ndeshjen ndaj Turqisë si një përballje të barabartë, duke theksuar se Kosova kishte edhe mundësitë e saj për të shënuar.

“Mendoj që kemi qenë pothuajse të barabartë. I kemi pas edhe shanset tona dhe e humbëm ndeshjen pa asnjë shans, me një gol që nuk erdhi prej ndonjë shansi”, u shpreh kreu i FFK-së.

Megjithatë, Ademi tha se eliminimi nuk duhet ta zbehë atë që Kosova ka arritur dhe se tashmë përfaqësuesja duhet të shikojë përpara.

“Jam shumë i lumtur që kemi ardhur deri aty dhe që ekipi e ka kuptuar dhe e ka vlerësuar veten në atë kusht”, tha ai.

Sipas Ademit, Kosova tashmë ka një nivel tjetër, ndërsa një prej faktorëve kryesorë është prania e futbollistëve kosovarë në ligat më të forta evropiane.

“Tash e tutje Kosova besoj që është ndryshe, jo vetëm me ambicie, se ambicie ke gjithë, por edhe me përqendrim. Kemi një fat të madh që kemi futbollistët tanë nëpër të gjitha ligat më të mira të Evropës”, tha Ademi.

Kreu i FFK-së foli edhe për të ardhmen e ekipit, duke e vlerësuar pozitivisht ndërrimin e gjeneratave dhe punën që po bëhet në futbollin kosovar.

“Jam shumë i lumtur që po bëhet ndërrimi i gjeneratave në kohë shumë të mirë, por edhe në format të mirë”, tha ai.

Të ngjashme

Të fundit