Kreu i Partia Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, përmes një video-mesazhi publik ka bërë thirrje për mobilizim qytetar në funksion të pjesëmarrjes së subjektit të tij në zgjedhjet e 7 qershorit.
Në adresimin e tij, Molliqaj tha se PSD-ja ka përpara periudhë intensive angazhimi për të siguruar certifikimin në këtë proces zgjedhor. Ai ka bërë të ditur se një nga kushtet kryesore për pjesëmarrje në zgjedhje është mbledhja e rreth 1 mijë nënshkrimeve nga qytetarë me të drejtë vote.
“Deri më 7 qershor kemi shumë punë bashkë me bë për këtë synim dhe këtë qëllim. Një prej tyre është certifikimi për zgjedhjet e 7 qershorit”, thuhet në mesazhin e tij.
Molliqaj ka ftuar qytetarët që mbështesin këtë subjekt politik të marrin pjesë në një aktivitet të organizuar nesër në Sheshi Zahir Pajaziti, duke filluar nga ora 11:00, ku do të bëhet grumbullimi i nënshkrimeve të nevojshme.
Ai e ka cilësuar këtë proces si të rëndësishëm për “fuqizimin e rrugëtimit të përbashkët”, duke i bërë thirrje mbështetësve që të bashkohen në shesh për të kontribuar në përmbushjen e këtij objektivi.






