Protestat pas aktgjykimit, shoqërohen në Polici dy persona, njëri ndalohet për 48 orë

- Advertisement -

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për protestat e zhvilluara në Prishtinë dhe qytete të tjera të Kosovës pas shpalljes së aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas Policisë, tubimet nisën që nga mbrëmja e 15 shtatorit në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë dhe në disa qytete të tjera, ndërsa mijëra qytetarë dhe përfaqësues të organizatave u mblodhën edhe në orët e mëngjesit të 16 shtatorit.

Policia tha se kishte ndërmarrë me kohë masa preventive dhe operative për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, mbrojtjen e qytetarëve dhe pronës, si dhe menaxhimin e trafikut.

Pas shpalljes së aktgjykimit, sipas Policisë, protestuesit në disa rajone shprehën pakënaqësinë e tyre dhe më pas filluan të shpërndaheshin. Një pjesë e protestuesve nga Prishtina u nisën drejt ish-objektit të EULEX-it dhe më pas drejt bazës së këtij misioni.

Sipas Policisë, pas arritjes pranë objektit të EULEX-it, disa protestues tentuan me forcë të depërtonin brenda rrethojave. Numri i protestuesve u rrit edhe më tej pasi, sipas Policisë, qytetarë nga zona të ndryshme të Kosovës mbërritën me automjetet e tyre, duke shkaktuar përkohësisht bllokim të trafikut në rrugën Prishtinë–Fushë Kosovë.

Policia tha se protestuesit qëndruan për disa orë pranë bazës së EULEX-it dhe se, herë pas here, u hodhën gurë dhe mjete të tjera të forta drejt rrethojave dhe objektit, ndërsa pati edhe përpjekje për të kaluar kordonin policor.

Pas përfundimit të protestës pranë EULEX-it, një pjesë e protestuesve u kthyen drejt qendrës së Prishtinës dhe u vendosën pranë institucioneve të Kosovës, përfshirë ndërtesën e Qeverisë.

Fillimisht protesta pranë Qeverisë ishte e qetë, por më pas, sipas Policisë, disa protestues tentuan të kalonin rrethojat dhe kordonin policor, si dhe hodhën mjete të forta në drejtim të ndërtesës.

“Brenda turmës së protestuesve ka pasur individë me maska të cilët në vazhdimësi kanë hedhur gurë, ku edhe vet personat brenda turmës kanë reaguar ndaj këtyre personave”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia tha se vazhdimisht u ka bërë thirrje protestuesve që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos tentojnë të dëmtojnë apo të hyjnë brenda rrethojave të institucioneve.

Si pasojë e situatës së krijuar, zyrtarët policorë ndërmorën masa të shtuara për parandalimin e incidenteve dhe për mbrojtjen e institucioneve.

“Si rezultat i veprimeve policore dy persona janë shoqëruar në polici, ndaj të cilëve me vendim të prokurorit njërit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve, përderisa tjetri është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Për shkak të protestave, Policia tha se u detyrua të ndërpresë përkohësisht dhe të riorientojë qarkullimin në rrugën Prishtinë–Fushë Kosovë dhe në rrugën “Bill Klinton”.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që ende ndodhen në tubim që pakënaqësitë e tyre t’i shprehin në mënyrë të qetë, të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë dhe të kontribuojnë që protestat të zhvillohen në mënyrë të sigurt.

“Siguria e qytetarëve, ruajtja e rendit kushtetues dhe sigurisë publike në vend mbesin prioritet i Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme

Të fundit