Opinionisti Arbër Vllahiu, gjatë debatit në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ka deklaruar se vala e protestave në Shqipëri dhe në qytetet e ndryshme evropiane shënon fillimin e një kaosi që nuk do të ndalet lehtë.
Sipas tij, në skenë ka zbritur një gjeneratë e re, “Gjenerata Z”, e cila po vetorganizohet jashtë kornizave dhe kontrollit tradicional të politikës dhe mediave.
Vllahiu vuri në dukje se zhvillimi i hovshëm teknik dhe teknologjik e bën këtë brez thelbësisht të ndryshëm nga gjeneratat e kaluara.
Ai theksoi se monopoli mbi informacionin është thyer dhe se të rinjtë tashmë organizohen në mënyrë të menjëhershme.
“Nuk është më me e marrë telefonin dhe me pritë se kur do të ndodhë dhe kur do të dalim në protestë. Kjo është gjeneratë e cila flet aty për aty. Informatën nuk e ka më askush të mbyllur dhe monopolin mbi të; kjo gjeneratë e ka informatën në dorën e vet. Protestat edhe në Paris, edhe në Milano, edhe në vendet e tjera të Evropës e në Shqipëri, mund të organizohen aty për aty. E dinë kohën, e dinë vendin dhe qëllimin e tyre. Nuk ndalet, kaosi ka nisur dhe ky kaos nuk ndalet shpejt”, deklaroi Vllahiu.
Sipas tij, këto reagime qytetare burojnë nga dy faktorë kryesorë: problemet socio-ekonomike dhe një frymë e thellë anti-establishment.
Duke u ndalur te situata në Shqipëri, Vllahiu vlerësoi se e gjithë klasa politike atje ka dështuar dhe se pakënaqësia e rinisë nuk drejtohet vetëm kundër qeverisë, por ndaj gjithë elitës politike.
“Klasa politike në Shqipëri ka dështuar në total. Të rinjtë po kërkojnë ndryshimin e klasës politike të sotme. Problemi me Shqipërinë është se unë nuk shoh një politikan që është i gatshëm të ulet dhe të bisedojë. Por me kë të flasin? Rama mund të thotë ‘unë ulem e flas me këdo’, por kush janë ata që do të flasin me të?”, u shpreh Vllahiu.






