Shkruan: Astrit Gashi
Shqipëria sot nuk po përballet thjesht me një rotacion apo krizë të radhës politike. Ajo ndodhet në një udhëkryq të pastër strategjik, ku ndahen dy rrugë ajo e transformimit të pakthyeshëm ekonomik përmes investimeve globale, dhe rruga e bllokimit kronik, që shpesh shitet e maskohet si kauzë qytetare apo mbrojtje parimesh.
Projektet e mëdha që janë futur në ciklin e realizimit si ai i Sazanit, Zvërnecit dhe veçanërisht Aeroporti i Vlorës përfaqësojnë një ndryshim tektonik të peshës gjeopolitike dhe ekonomike të Shqipërisë në Mesdhe. Kur flasim për miliarda dollarë kapital që vijnë nga partnerë strategjikë si SHBA-të, nuk po flasim më për turizëm sezonal, por për pozicionimin e Shqipërisë si një nyje e patjetërsueshme e interesave perëndimore në Ballkan.
Por, pikërisht këtu fillon e vërteta e pakëndshme që duhet thënë troç.
Është rregull i artë i historisë që çdo projekt i madh zhvillimi prodhon debat dhe rezistencë. Ky është rregulli i demokracisë. Por, kur shikon një zinxhir të organizuar reagimesh dhe protestash që synojnë ekskluzivisht bllokimin apo dështimin e këtyre investimeve jetike, vështirë të besosh se kemi të bëjmë me shqetësim legjitim mjedisor apo ligjor. Këtu kemi kaluar në terrenin e përplasjes së pastër mes interesit të zhvillimit dhe agjendave të stagnimit.
Nuk mund të mos pyetet: cili është interesi real pas këtij bllokimi? Pse sa herë që Shqipëria tenton të bëjë një kapërcim të madh kualitativ në ekonomi e logjistikë, zhurma politike sinkronizohet aq mirë me interesat e fqinjëve tanë?
Kur Shqipëria ndërton aerorporte moderne në jug, krijon porte të reja dhe hap resorte elitare, ajo thyen monopolet tradicionale të rajonit. Ajo bëhet konkurrente e drejtpërdrejtë e paketave që historikisht kanë ushqyer Athinën apo Budvën, dhe rrit peshën e saj karshi Beogradit.
Megjithatë, llogaritë e vjetra të Ballkanit këtë herë mund të dalin gabim.
Shqipëria nuk mundet dhe nuk do të mbetet peng e betejave të së kaluarës dhe as e agjendave që bien ndesh me interesin e saj afatgjatë kombëtar. Rruga e saj është përcaktuar: zhvillim agresiv ekonomik, hapje e guximshme ndaj kapitalit të huaj dhe lidhje e fortë organike me aleatin tonë kryesor strategjik, SHBA-të. Ky partneritet sjell jo vetëm para, por mbi të gjitha siguri dhe stabilitet gjeopolitik.
Në këtë përplasje mes progresit real dhe bllokimit të projektuar, përgjigjja e shoqërisë dhe e institucioneve duhet të jetë e prerë. Asnjë fushatë e mirëorkestruar politike, asnjë protestë e instrumentalizuar për interesa të ngushta dhe asnjë narrativë që tenton të mbjellë krizë artificiale nuk mund ta ndalë transformimin ekonomik të vendit.
Shqipëria e vitit 2026 po ndërtohet mbi projekte të prekshme dhe kapitale reale, jo mbi zhurmën e debateve shterpë të kafeneve politike. Dhe ky proces, përtej të gjitha pengesave e zhurmave, tashmë është bërë i pakthyeshëm. Secili që mbeshte keto protesta i bene argat dreqit dhe armiqve te Shqypnisë.






