Prokuroria del me komunikatë për rastin në Gjilan, ku mbetën dy persona të vrarë

- Advertisement -

Prokuroria Themelore në Gjilan ka dalë me një komunikatë për media pas vrasjes së dyfishtë, duke konfirmuar se një person është ndaluar në lidhje me rastin.

Në komunikatë thuhet se V.R., 38 vjeç, dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij, N.B., 27 vjeçe, dhe vëllain e saj, E.B., 31 vjeç, si dhe ka plagosur djalin e xhaxhait të tyre, M.B., 48 vjeç, i cili po trajtohet në QKUK.

Sipas njoftimit, në vendin e ngjarjes është sekuestruar një pistoletë e markës “Beretta”, me leje të skaduar, me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale.

Po ashtu, janë kontrolluar tri prona të të pandehurit, ku janë sekuestruar prova të tjera materiale.

Në komunikatë, Prokuroria bën të ditur se motivi i rastit ende nuk dihet, ndërsa i dyshuari nuk ka të kaluar kriminale dhe nuk ka pasur raste të raportuara për dhunë në familje.

“Gjilan, 9 tetor 2026 – Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se më 9 tetor 2026, rreth orës 14:30, nga Policia e Kosovës – NJHP në Gjilan është njoftuar Prokurori i Shtetit se në fshatin Livoç i Poshtëm, Komuna e Gjilanit, ka ndodhur një rast i rëndë.

Nën dyshimin se i pandehuri V.R. (38 vjeç), nga Gjilani, për motive ende të panjohura, me armë zjarri ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën N.B. (27 vjeçe), dhe vëllain e bashkëshortes, tani të ndjerin E.B. (31 vjeç), si dhe ka plagosur rëndë djalin e xhaxhait të bashkëshortes së tij, tani të dëmtuarin M.B. (48 vjeç), i cili, për shkak të plagëve të marra, është duke u trajtuar në QKUK.

Në vendin e ngjarjes kanë marrë pjesë të gjitha ekipet relevante policore, si dhe Prokurori i Shtetit, ku janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të zbardhjes së rastit.

Në vendin e ngjarjes është sekuestruar arma – pistoletë e markës “Beretta”, me leje të skaduar, me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, si dhe prova materiale. Gjithashtu, janë kryer kontrolle në tri lokacione të pronave të të pandehurit, ku janë sekuestruar prova të tjera materiale.

I pandehuri nuk ka të kaluar kriminale dhe nuk ka pasur ndonjë rast të raportuar për dhunë në familje”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme

Të fundit