Profesori irlandez: Gjykata Speciale është gjykata më politike që njoh

- Advertisement -

Gjykata Speciale nuk do të ishte krijuar po të mos ekzistonin interesa politike që synojnë të mbështesin një narrativë të caktuar për luftën. Kështu thotë në një intervistë për VOX Kosova,  Aidan Hehir, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Westminsterit. Ai nuk beson se Apeli do t’i shpallë të pafajshëm krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.

“Përsëri, nuk shoh ndonjë logjikë që të ndodhë një ndryshim i madh.Nëse do të ishte një organ gjyqësor i paanshëm dhe objektiv, atëherë, ndoshta, mund të shihnim një ulje të caktuar të dënimeve. Nuk e di. Edhe në atë rast, do të ishte disi e jashtëzakonshme që aktgjykimi të ndryshonte aq shumë. Por ata nuk do ta bëjnë këtë në një rast të tillë.Kjo është gjykata më politike që njoh. Mund të jem gabim. Ndoshta ka edhe gjykata të tjera të tilla në botë”, thotë Hehir.

Hehir thotë se evropianët nuk do ta bëjnë dallimin mes individëve dhe luftës së UÇK-së.

“Po. Njerëzit që e kuptojnë se çfarë ka ndodhur në vitet 1990 dhe që i njohin figurat në fjalë, do të jenë në gjendje t’i ndajnë individët nga komuniteti më i gjerë të cilit ata i përkasin. Por njerëzit e zakonshëm në Evropë dhe në botë nuk do ta bëjnë këtë dallim. Nuk do t’u bëjë asnjë dallim nëse dikush quhej Hashim Thaçi apo jo. Ata thjesht do ta shohin UÇK-në si një ndërmarrje të përbashkët kriminale, ashtu siç thuhet në dokumentet e vetë gjykatës”, thotë.

Sipas Hehir, aktgjykimi ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte i paracaktuar.

“Në njëfarë mase u befasova nga kohëzgjatja e dënimeve që iu shqiptuan, por, nga një këndvështrim thjesht politik, nuk kishte asnjë mundësi që ata të shpalleshin të pafajshëm”, thotë.

“Veçanërisht nëse i kushtoje vëmendje mënyrës se si funksiononte gjykata, për sa u përket llojeve të provave që pranonte. Në veçanti, provave nga shërbimet serbe të sigurisë”, shton.

Sipas tij, në këtë situatë, “e gjithë UÇK-ja do të mbulohet nga kjo narrativë e re, sipas së cilës ajo ishte një ndërmarrje e përbashkët kriminale, e përfshirë në ndalime, tortura, vrasje e të tjera”.

Të ngjashme

Të fundit