Ka nisur numërimi mbrapsht për vendimin e 16 shtatorit në Gjykatën Speciale të Hagës për katër ish-krerët e UÇK-së, teksa familjarët e tyre po shpresojnë për një vendim të bazuar në drejtësi dhe jo në politikë.
Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, në një intervistë në Klan News, me gazetarin , u shpreh se ka pasur mungesë mbështetjeje nga Kosova ndaj këtij procesi të vështirë gjyqësor.
I pyetur se si është parë mungesa e vizitës së kryeministrit, Albin Kurti, te ish-krerët, Krasniqi u shpreh se e vetmja gjë që është mundësuar ka qenë financimi për mbrojtjen e tyre. Sipas tij, nuk ka pasur përpjekje në politikë apo diplomaci për procesin ndaj katër të akuzuarve.
“Institucionet e Kosovës, përveç obligimit financiar që e kanë pasur, që ka qenë e rregulluar më herët me ligj, nuk kanë bërë asnjë ndihmë tjetër. As politike, as diplomatike. Si familje nuk kemi kërkuar asnjëherë pengim drejtësie, kemi dashur vetëm që drejtësia të bazohet në të drejtat themelore të njerëzve. Besoj që shteti ynë, institucionet tona, janë dashur të interesoheshin më shumë e të bazoheshin në fakte. Institucionet tona i kanë lënë vetëm, në fakt, çlirimtarët në Hagë, përveç financave që i kanë ndihmuar në mbrojtjen dhe familjarët për t’i vizituar”, tha ai.
Krasniqi u shpreh se, pavarësisht ndarjes politike, Kurti duhej të ishte mbështetje për katër çlirimtarët për shkak se ata po gjykohen për lirinë e Kosovës.
“Normal, kryeministri i vendit kur të viziton sepse ata… unë e thashë më herët. Ata nuk janë duke u gjykuar si individë. Janë duke u gjykuar si krerët e UÇK-së, të cilët bashkë me NATO-n arritën çlirimin e Kosovës. Politikisht mundet të mos pajtohen me njëri-tjetrin, por Ushtria Çlirimtare e Kosovës është më e madhe se politika. UÇK-ja nuk është parti politike, është e popullit të Kosovës”, përfundoi ai.






