FC Prishtina ka marrë një fitore tejet të rëndësishme në kuadër të javës së 35-të në Superligën e Kosovës, duke triumfuar në udhëtim ndaj FC Ballkani me rezultat 1-2.
Në një përballje mjaft interesante dhe të luftuar në Suharekë, “bardhekaltërit” arritën të dalin me pikët e plota falë një paraqitjeje të disiplinuar dhe efikase në momentet vendimtare të ndeshjes.
Skuadra nga kryeqyteti e nisi shumë mirë takimin dhe arriti të kalojë në epërsi qysh në minutën e nëntë. Pas një penalltie të akorduar për mysafirët, Leutrim Kryeziu u tregua i saktë nga pika e bardhë për ta dërguar Prishtinën në avantazh.
Megjithatë, vendasit reaguan para përfundimit të pjesës së parë. Valentin Serebe realizoi në minutën e 44-të për ta rikthyer baraspeshën dhe për t’i dhënë tjetër ritëm sfidës.
Kur pritej që Ballkani të merrte kontrollin e ndeshjes në pjesën e dytë, në skenë doli talenti i ri Rin Ahmeti.
Ai realizoi një gol të bukur në minutën e 70-të, gol që në fund rezultoi vendimtar për triumfin e Prishtinës.
Me këtë fitore, Prishtina ngjitet në pozitën e katërt në tabelë me 49 pikë të grumbulluara, duke mbajtur gjallë objektivat për fundin e sezonit.
Në anën tjetër, Ballkani mbetet në vendin e dytë me 58 pikë.






