Ekstradimin e Milan Radojiçiqit në Kosovë e quajti të pamundur zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq.
Dorëzimi i kryeterroristit serb pas sulmit në Banjskë, i cili është i sanksionuar nga SHBA-ja dhe Britania, kërkohet me ngulm nga institucionet kosovare.
Por, mundësia e vetme që kjo të ndodhë, sipas anëtarit të Komisionit parlamentar për Siguri, Enver Dugolli thotë se është presioni nga Amerika dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë mbi Serbinë.
“Të them të drejtën pa një presion të madh nga Bashkësia Ndërkombëtare, të ketë lëvizje në këtë drejtim, përçka se ai është i lirë atje në Serbi dhe vazhdon me aktivitete të përditshme, stërvitë dhe nuk ka ndonjë lëvizje sa i përket ekstradimit”.
Por, pse Serbia nuk po pranon ta dorëzojë Radojiçiqin?
“Vuçiq e Daçiq nuk e dorëzojnë Radojçiqin, pasi i bie sikurse ta dorëzojnë vetëvete, pasi ata qëndrojnë pas Radojçiqit,” tha Dugolli për TV Dukagjinin.
Kurse njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, thotë se lënia e Radojçiqit në liri nënkupton automatikisht rrezik për shtetin e Kosovës.
“Pa dyshim që do të nxitet me deklarata të tilla të Beogradit zyrtar që të marrë ndonjë cenim të mundshëm të territorit të Kosovës” tha Drizan Shala, Njohës i çështjeve sigurisë
E krejt çka Serbia mund të bëjë, sipas Shalës, është arrestimi i Radojiçiqit nga prokuroria serbe dhe mbajtja e tij disa ditë prapa grilave sa për t’u arsyetuar tek ndërkombëtarët.
“Sipas asaj që mund të vërehet dhe narrativës qeveria e Serbisë do të argumentojë që pushtetet janë të ndara dhe do të nxisë prokurorinë të bëjë një ftesë sa për të arsyetuar veprimet hetimore, dhe te dal mirë para faktorit ndërkombëtar”.
Radojiçiq udhëhoqi grupin e tij terrorist gjatë sulmit në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit të kaluar, ku u vra rreshteri policor i Kosovës, Afrim Bunjaku.