Presidenti i PSG-së dhe kryetari i Shoqatës së Klubeve Evropiane, Nasser Al-Khelaifi e uron Dritën për titullin kampion

- Advertisement -

Drita u shpall kampione e Superligës së Kosovës për herë të dytë radhazi me 9 maj të fundjavës së kaluar, pas fitores ndaj Ballkanit në Gjilan.

Ky ishte titulli i pestë i Dritës në historinë e saj.

Për këtë arritje, klubi gjilanas ka marrë një urim të veçantë.

Sipas “Radio Star”, Drita u urua nga presidenti i kampionit aktual të Evropës, Paris Saint-Germainit, Nasser Al-Khelaifi, i cili këtë letër e ka dërguar nën cilësinë e Kryetarit të Shoqatës së Klubeve Evropiane (EFC).

Në e-mailin e siguruar nga “Radio Star”, presidenti i PSG-së e ka uruar Dritën për titullin e saj të pestë.

Në letrën e tij drejtuar Dritës, Nasser Al-Khelaifi theksoi se triumfi i pestë në histori dhe i dyti radhazi është rezultat i punës së madhe, profesionalizmit dhe përkushtimit të të gjithëve në klub.

“I dashur president Murseli, në emër të klubeve të futbollit evropian, doja të të uroja ty, dhe të gjithë atyre që janë pjesë e Dritës, për fitimin e Superligës së Kosovës këtë sezon”, nis letra e Al-Khelaifit.

“Fitimi i titullit për herën e pestë dhe sezonin e dytë radhazi është një arritje e madhe dhe pasqyron punën e palodhshme dhe përkushtimin e të gjithëve në klub”, thuhet tutje në letrën e presidentit të PSG-së/kryetarit të EFC-së.

EFC është një organizatë e njohur nga UEFA e FIFA që mbron të drejtat e klubeve, e pjesë e së cilës janë mbi 800 klube të Evropës – e cila vepron në kuadër të UEFA-s.

Kjo organizatë ishte themeluar 18 vjet më parë, derisa Al-Khelaifi është kryetar i saj që nga viti 2021.

Më parë, në krye të kësaj organizate kishin qenë edhe Karl-Heinz Rummenigge, nga viti 2008 deri më 2017, derisa nga viti 2017 deri më 2021 ishte Andrea Agnelli.

 

Të ngjashme

Të fundit