Jashari: Akuzat e Osmanit ndaj Kurtit janë të vonuara dhe shpërfaqje e hipokrizisë

- Advertisement -

Kandidati për deputet nga rradhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Shemsi Jashari, ka vlerësuar se akuzat e ish-presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, janë të vonuara dhe paraqesin hipokrizi politike.

Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Jashari ka thënë se Osmani do të duhej të kishte reaguar më herët nëse pretendimet e saj për Kurtin kanë qenë serioze dhe në interes të shtetit.

Sipas tij, Osmani ka zgjedhur të flasë vetëm pas përfundimit të bashkëpunimit politik me Kurtin dhe pasi, sipas tij, ai nuk pranoi ta mbështesë për një mandat të dytë presidencial.

“Vjosa Osmani ka zgjedhur të flasë pas një qeverisjeje pesëvjeçare, vetëm atëherë kur Albin Kurti nuk pranoi ta mbështesë për një mandat të dytë si presidente, gjë që, sipas mendimit tim, e vë në dyshim sinqeritetin e saj për të sjellë një frymë ndryshe në skenën politike. Akuzat që po dëgjojmë tani, se Kurti ka qenë rrezik për vendin, se ka kërkuar qira për kampin Bondsteel dhe se ka rrezikuar raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe të gjitha pretendimet e tjera që mund të dalin gjatë fushatës, mendoj se janë të vona dhe shpërfaqin një lloj hipokrizie. Kjo për faktin se Osmani do të duhej ta paralajmëronte me kohë vendin për këto çështje”, ka deklaruar Jashari.

Ai ka shtuar se, nëse këto shqetësime kanë ekzistuar gjatë mandatit qeverisës, Osmani do të duhej të bashkëpunonte me opozitën dhe të paralajmëronte opinionin publik me kohë.

“Osmani do të duhej ta paralajmëronte me kohë vendin dhe të bashkëpunonte me partitë opozitare kur bëhet fjalë për cenimin e shtetit të Kosovës. Ajo deri në momentin e fundit, kur tashmë ishte mbyllur afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit, qëndroi e heshtur me shpresën se do të rizgjidhej edhe për një mandat të dytë. Do ta kuptoja plotësisht si diçka të mirëqenë sikur Osmani, në fund të mandatit, të dilte dhe të thoshte se nuk pranon të zgjidhet pa një bashkëpunim me opozitën, për shkak të dëmeve që, sipas opozitës, janë shkaktuar gjatë pesë viteve të qeverisjes së Albin Kurti. Opozita ka folur vazhdimisht për prishjen e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pezullimin e dialogut për bashkëpunim strategjik Kosovë-SHBA dhe sanksionet që Kosova ka përjetuar gjatë qeverisjes së Kurtit, por që të gjitha këto kanë ndodhur edhe brenda mandatit të Osmanit”, ka përfunduar ai.

Të ngjashme

Të fundit