Presidenti i Koresë së Jugut e quan të paaftë trajnerin e kombëtares, pas eliminimit nga Botërori

- Advertisement -

Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, ia ka atribuar eliminimin e hershëm të kombëtares nga Botërori trajnerit Hong Myung-bo, të cilin e cilësoi si “të paaftë”.

Presidenti kritikoi mënyrën e emërimeve në kombëtare, duke folur për favorizime dhe nepotizëm, ndërsa kërkoi një hetim zyrtar nga Ministria e Kulturës, Sportit dhe Turizmit për paraqitjen e ekipit.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Lee përmendi edhe fondet e konsiderueshme të taksapaguesve të shpenzuara për pjesëmarrjen e kombëtares në Botëror dhe kërkoi që ministria të hetojë të gjithë rastin.

“Nuk jam vetëm i befasuar nga ky rezultat i papritur, jam plotësisht i tronditur,” shkroi Presidenti Lee, pasi Koreja e Jugut pritej të kualifikohej nga një grup që konsiderohej relativisht i lehtë.

“Edhe një herë u vërtetua se vendimet për emërimet janë gjithçka. Kur ‘tanët kundër të tjerëve’ vendoset përpara kompetencës dhe një person i paaftë zgjidhet si drejtues, rezultati është i qartë si drita e diellit”, shtoi ai.

Emërimi i Hong Myung-bo si trajner i kombëtares në vitin 2024, për herë të dytë, kishte shkaktuar akuza për favorizim nga mediat koreano-jugore, akuza që ai i ka mohuar vazhdimisht.

“Arsyeja pse emërime të tilla të dështuara – që nuk bëjnë dallim mes interesit publik dhe atij privat dhe vendosin përfitimin personal mbi të mirën publike – janë të mundura, është se është e pamundur ose shumë e vështirë të monitorohen, kontrollohen dhe të mbahen përgjegjës ata që kanë autoritetin për të bërë emërime,” shkroi Lee.

“I kërkoj Ministrisë së Kulturës, Sportit dhe Turizmit të hetojë plotësisht rrethanat e sakta të këtij rasti, të analizojë shkaqet dhe të hartojë masa për të parandaluar përsëritjen e tij dhe për të siguruar përmirësime”, thuhet tutje.

Presidenti Lee përsëriti se është “plotësisht i tronditur” nga eliminimi i Koresë së Jugut në fazën e grupeve të Botërorit dhe kërkoi një hetim të plotë nga autoritetet sportive të vendit.

Të ngjashme

Të fundit