Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, po qëndron në Meksikë me ftesë të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, ku do të ndjekë nga afër ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026 ndërmjet Meksikës dhe Afrikës së Jugut.
Ademi bëri të ditur se do të marrë pjesë edhe në Samitin e FIFA-s, i cili do të mbahet në Majami, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit të Kosovës në ngjarje të nivelit më të lartë të futbollit botëror.
“Në qytetin me simbolikë të veçantë për futbollin tonë, aty ku para dhjetë vjetësh Kosova u pranua në familjen botërore të futbollit, ndihem krenar për rrugëtimin që kemi bërë”, ka deklaruar Ademi.
Ai ka shfrytëzuar këtë rast për t’i uruar vashat e Kosovës për suksesin e arritur me kualifikimin në “Play-Off” të Kampionatit Botëror 2027, duke e cilësuar këtë si një arritje që e bën krenar mbarë vendin.
Sipas kreut të FFK-së, rezultatet e fundit janë dëshmi e punës dhe investimeve të vazhdueshme në zhvillimin e futbollit në vend.
“Besoj fuqishëm se me punën, përkushtimin dhe talentin që kanë djemtë dhe vajzat tona, edhe Kosova shumë shpejt do të jetë pjesë e ngjarjeve madhore të futbollit botëror”, është shprehur ai.
Ademi ka veçuar edhe rolin e Akademisë së FIFA-s në Prishtinë, të parën e këtij lloji në Ballkan, duke theksuar se ajo tashmë po jep rezultatet e para në përgatitjen profesionale të talenteve të rinj.
Sipas tij, investimi në të rinjtë dhe zbatimi i strategjive zhvillimore të FFK-së po ndërtojnë baza të qëndrueshme për një të ardhme më të suksesshme të futbollit kosovar.
“Me futbollin për Kosovën”, mbetet motoja që, sipas Ademit, përfaqëson vizionin për avancimin dhe ndërkombëtarizimin e mëtejmë të futbollit të vendit.
Postimi i plotë i Ademit:
Në qytetin me simbolikë të veçantë për futbollin tonë, aty ku para dhjetë vjetësh Kosova u pranua në familjen botërore të futbollit.
Me ftesë të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, ndodhem në Meksikë për ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026, Meksika-Afrika e Jugut. Gjithashtu, do të jem edhe pjesë e Samitit të FIFA-s që do të mbahet në Majami.
Nga këtu edhe një herë i përgëzoj vashat tona dardane për kualifikimin në “Play-Off” të Botërorit 2027, një sukses që na bën krenarë të gjithëve.
Besoj fuqishëm se me punën, përkushtimin dhe talentin që kanë djemtë dhe vajzat tona, edhe Kosova shumë shpejt do të jetë pjesë e ngjarjeve të tilla madhore të futbollit botëror.
Jam shumë i lumtur që strategjia dhe projektet zhvillimore të FFK-së po implementohen me sukses dhe tashmë po japin rezultatet e para konkrete si në futbollin e femrave, edhe në zhvillimin e talenteve të rinj.
Akademia e FIFA-s në Prishtinë, e para e këtij lloji në Ballkan, po jep frytet e saj, ku talentet tona po marrin formimin më të mirë profesional nën udhëheqjen e ekspertit të FIFA-s dhe stafit tonë teknik. Kjo është dëshmi se investimi në të rinjtë dhe puna e vazhdueshme po ndërtojnë themele të forta për të ardhmen e futbollit të Kosovës.
🇽🇰⚽️🏆🌍
#MeFutbollinPërKosovën







