Sot në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës, presidenti Agim Ademi ka pritur futbollistin e talentuar të grupmoshave të reja të FC Fushë Kosova, Belgin Jashari, i cili së fundmi ishte viktimë e një sulmi të papranueshëm gjatë një ndeshjeje futbolli. Bashkë me futbollistin ishte edhe trajneri Arton Rushiti. Ky incident ka shkaktuar një reagim të gjerë në opinionin publik, duke nxitur njëherësh mbështetje dhe solidarizim për këtë talent të futbollit.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, theksoi se FFK dënon fuqishëm çdo formë dhune në sport dhe se ky akt është plotësisht i papranueshëm.
FFK ka ndërmarrë masa të menjëhershme për të adresuar lëshimet në organizimin e ndeshjes nga klubi vendas dhe ka marrë vendime në përputhje me rregulloret përkatëse të garave. Këto veprime kanë për qëllim sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe të drejtë për të gjithë futbollistët në të ardhmen.
“Ne do të luftojmë pa kompromis çdo formë diskriminimi dhe dhune, dhe do të kujdesemi që futbolli të mbetet gjithmonë një hapësirë e barazisë, respektit dhe bashkimit”, tha presidenti Ademi.
Ai theksoi se ngjarjet me sfond racor, gjinor apo fetar nuk kanë vend në sport dhe se FFK është e angazhuar të krijojë një ambient të sigurt për të gjithë.
Presidenti Ademi përgëzoi Belginin për forcën dhe qetësinë që ka treguar gjatë kësaj periudhe dhe i shprehu atij dhe të gjithë të rinjve që merren me futboll mbështetjen e plotë të FFK-së.
Trajneri i grupmoshave të reja të FC Fushë Kosovës, Arton Rushiti falënderoi kreun e FFK-së për pritjen dhe mbështetjen ndaj futbollistit të tyre. Ai tha se nuk beson që ky incident ka qenë nga aspektit racor, por thjesht një akt i papërgjegjshëm i një prindi.
Ndërkaq, vetë futbollisti tha se ky rast vetëm e motivon për të punuar edhe më shumë drejt arritjes së suksesit. “Kam pasur përkrahje të madhe pas këtij rasti. Ky solidarizim më motivon. Në klub jam shumë mirë i integruar dhe e kam si familje. Askush nuk bën asnjë dallim. Besoj që rastet e tilla nuk do të përsëriten kurrë më”, tha ai.