Presidenti Ademi pret përfaqësuesit e akademisë gjermane “Train2Win”, fokus te talentet e Kosovës

- Advertisement -

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka pritur në një takim përfaqësuesit e akademisë gjermane të futbollit “Train2Win”, Harald Cerny dhe Patrick Zimmerer, të shoqëruar nga bashkatdhetari Ndriçim Halili, të cilët po qëndrojnë në Kosovë për të vëzhguar talentet e reja dhe zhvillimin e tyre.

Sipas Ademit, akademia “Train2Win” ka bashkëpunim të ngushtë me shkollën e futbollit FC Ramiz Sadiku, ndërsa FFK-ja mbështet iniciativa që forcojnë lidhjet me akademi dhe klube evropiane, duke krijuar mundësi të reja për futbollistët e rinj të Kosovës.
Ai theksoi se interesimi i vazhdueshëm i akademive prestigjioze për talentet kosovare dëshmon potencialin e futbollit në vend dhe kontribuon në hapjen e rrugës së lojtarëve drejt klubeve evropiane.

Në fund, Ademi u uroi mirëseardhje mysafirëve nga Gjermania dhe suksese në punën e tyre, duke shprehur besimin se gjatë qëndrimit në Kosovë do të identifikohen talente që në të ardhmen do ta përfaqësojnë me krenari futbollin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Postimi i plotë:

Sot pata kënaqësinë të mirëpres në takim anëtarët e akademisë së futbollit nga Gjermania, “Train2Win”, Harald Cerny dhe Patrick Zimmerer, të shoqëruar nga bashkatdhetari ynë Ndriqim Halili, të cilët po qëndrojnë në Kosovë për të vëzhguar talentet tona dhe zhvillimin e tyre. Kjo akademi ka një bashkëpunim të mirë, sidomos me shkollën e futbollit FC Ramiz Sadiku.

Federata e Futbollit e Kosovës përkrah gjithmonë iniciativa të tilla për zhvillimin e futbollit dhe bashkëpunimin me vendet e me akademitë e tjera nëpër Evropë, kudo që ndodhen ato, e sidomos aty ku veprojnë edhe bashkatdhetarët tanë, si në këtë rast.

Më gëzon fakti që akademi dhe klube prestigjioze po vijnë vazhdimisht në Kosovë për të identifikuar dhe zhvilluar talentët tanë të rinj. Bashkëpunime të tilla krijojnë mundësi të reja për futbollistët e rinj, u japin atyre hapësirë për të treguar cilësitë e tyre dhe për të ndërtuar një të ardhme në futbollin evropian.

Mysafirëve nga Gjermania u dëshirova mirëseardhje në Kosovë dhe shumë suksese gjatë punës së tyre, me bindjen se gjatë aktivitetit të tyre këtu do të zbulohen shumë talente, të cilat të ardhmen e tyre do ta ndërtojnë përmes bashkëpunimeve të tilla në akademi evropiane dhe do ta përfaqësojnë me krenari futbollin e Kosovës në klubet evropiane.

Të ngjashme

Të fundit