Senzacioni i ri i fushatës zgjedhore të Vetëvendosjes nisi me zotimin për krijim të xhandarmërisë.
Ajo xhandarmëri u premtua fillimisht me fjalë të mëdha si entiteti i sigurisë “që do të ruajë sovranitetin dhe integritetin territorial” dhe do të jetë aty “t’i ruajë kufijtë” ndaj kërcënime (para)ushtarake të Serbisë.
“Më shumë se polici e më pak si ushtri,” ishte shpjegimi fillestar i Albin Kurtit në intervistën e tij të fundit në KTV, ndërsa pyetur se si do t’ia bëjë për çështjen e ekskluzivitetit ushtarake të ruajtjes së kufijve nga KFOR-i, ai nuk u përgjigj, veçse “do ta bëjmë në bashkëpunim me NATO-n.”
NATO-ja i trajtoi veçse në nivel deklaratash “të cilat po i përcjellim nga afër.”
Javën e kaluar për t’i dhënë mish më shumë zotimit ende skeletor të kësaj xhandarmërie, Kurti me vartësin e tij dhe nën vartësinë e të cilit dëshiron të formojë këtë formacion sigurie, tha se xhandarmëria “do të ket mandatë të qartë: sigurimi i vijës kufitare, tokësore, ajorore dhe ujore në tërë territorin.”
Se a mund të bëhet që të mbetet veçse premtim zgjedhor, njëjtë siç e kishte shërbimin e detyrueshëm ushtarak në 2021-ën, ai tha se “padyshim që të do të bëhet.”
Tash një javë që nga kur vendi hap kutitë zgjedhore, Kurti mbrëmë në Gjilan iu kthye sërish krijimit të xhandarmërisë së gjëja e re në mandatin e ardhshëm, e cila do të formohet “me ligj të veçantë në legjislaturën e re.”
Por, shpjegimin për të e pati në oktava më të lehta. Jo të sovranitetit dhe integritetit territorial e të hapësirës ajrore, tokësore e ujore, “por të vijës së gjelbërt të kufirit.”
“Përveç detyrave për policinë dhe ushtrinë, janë edhe disa detyra të ndërmjetme, të cilat e bëjnë të domosdoshme formimin e xhandarmërisë që do të kujdestet për vijën e gjelbër të kufirit, pra vija kufitare ndërmjet vendkalimeve kufitare, do ta luftojë terrorizmin, krimin e organizuar, do t’i mbyllë të gjitha shtigjet e kontrabandës, dhe do ta ruajë infrastrukturën kritike,” tha ai.
“Nga 27 vende të BE-së, së paku 18 shtete e kanë xhandarmërinë, por mund të mos e quajnë ashtu. Për shembull italianët i quajnë “karabinierë,” mirëpo bëhet fjalë për të njëjtin formacion. Ehe ne do ta kemi xhandarmërinë tonë, dhe ajo do ta kompletojë arkitekturën dhe strukturën e mbrojtjes dhe sigurisë së Kosovë,” tha Albin Kurti.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se tashmë është themeluar grupi punues që po merret me analizimin e të gjitha aspekteve të krijimit të këtij mekanizmi.
“Grupi punues është duke punuar në analizimin e aspekteve ligjore, institucionale, organizative, financiare dhe operacionale të themelimit të xhandarmërisë”, deklaroi Sveçla.
Sipas tij, pjesë e grupit punues janë përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Policisë së Kosovës dhe institucioneve tjera të sigurisë.
“Grupi punues do të punojë intenzivisht për përcaktimin e të gjitha modaliteteve dhe nevojave operacionale, përfshirë numrin e pjesëtarëve të xhandarmërisë”, tha ai.
Megjithatë, Sveçla evitoi një përgjigje të drejtpërdrejtë kur u pyet nëse janë koordinuar me KFOR-in dhe institucionet ndërkombëtare për krijimin e xhandarmërisë.
Ai nuk komentoi as mundësinë e kufizimeve eventuale të kësaj force në veri të Kosovës.
“Pjesë e grupit punues janë vetëm institucionet e Kosovës”, tha Sveçla, duke shtuar se më vonë do të diskutohet edhe me “aktorë të tjerë”.
Nga selia qendrore e NATO-s, reagimi ndaj kësaj nisme ishte i rezervuar.
Ditë më parë në një përgjigje për Nacionalen, NATO tha se po i ndjek “nga afër” deklaratat e institucioneve të Kosovës për këtë çështje.
“Ne po ndjekim nga afër deklaratat e vazhdueshme nga institucionet në Kosovë për këtë çështje. U takon atyre të komentojnë më në detaje”, tha një zëdhënës i NATO-s.
Aleanca veri-atlantike theksoi se pret nga Kosova “të vazhdojë me qasje bashkëpunuese, duke koordinuar me KFOR-in për të kontribuar në siguri dhe stabilitet rajonal”.
Kurti kohëve të fundit ishte takuar me Zëvendës-Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Partneritete.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, ai kishte shpjeguar “konceptin dhe nevojën” për krijimin e xhandarmërisë së Kosovës.
Vetëvendosje e paraqet këtë strukturë si forcë që do të jetë “më shumë se polici, më pak se ushtri”.
Opozita e ka kundërshtuar ashpër këtë ide, si polici personale dhe politikisht e ndikueshme të Vetëvendosjes.






