Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë sot në një organizim të KOSTT, ku përveç tregtimit të energjisë elektrike, ka folur edhe për tranzicionin energjetik në të cilën pritet të futet Republika e Kosovës, shkruan Gazeta Express.
Ndonëse temë e shumë diskutuar javëve të fundit ka qenë kërkesa amerikane për gazsjellësin amerikan, në këtë plan për të ardhmen energjetike të Kosovës, Kurti s’e ka përmendur fare.
Ai ka folur për burime te ripërtrishme të energjisë, për energji solare e me erë, për bateritë akumuluese të energjisë dhe për rindërtim e modernizim të kapaciteteve ekzistuese.
“Kosova po hyn tani në një fazë të re të tranzicionit energjetik, integrimi i burimeve të ripërtrishme, ndërtimi i kapaciteteve të reja solare dhe të erës, instalimi i sistemeve të baterive për akumulimin e energjisë, si dhe modernizimi e rindërtimi i kapaciteteve ekzistuese e gjeneruese që sigurojnë furnizimin bazë, do ta transformojnë mënyrën se si prodhojmë, transmetojmë e konsumojmë energji”, ka deklaruar Kurti.
Kjo deklaratë e tij vjen në të njëjtën ditë, kur e Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA-së, Annu Prattipati, ka bërë thirrje edhe një herë për Kosovën të diversifikojë burimet e saj të energjisë përmes gazit amerikan LNG.
“Në fjalën e saj, ajo përshëndeti vendimin e Kosovës për të hequr tarifat doganore ndaj mallrave amerikane dhe bëri thirrje që Kosova të diversifikojë furnizimin e saj me energji përmes gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA-ja, me qëllim sigurimin e investimeve të ardhshme amerikane”, ka njoftuar sot Ambasada e SHBA-së.






