Policia e Kosovës ka njoftuar se procesi zgjedhor i mbajtur për zgjedhjet e 7 qershorit ka kaluar në mënyrë të qetë, pa incidente serioze që do të mund të cenonin integritetin e votimit.
Në komunikatën për media, Policia bëri të ditur se të gjitha aktivitetet operative gjatë ditës së zgjedhjeve janë realizuar sipas planifikimeve dhe masave të parapara, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit dhe institucionet tjera relevante.
Sipas Policisë së Kosovës, në terren kanë qenë të angazhuar 6,300 zyrtarë policorë dhe rreth 720 automjete, me afërsisht 320 patrulla reaguese, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike gjatë gjithë procesit zgjedhor.
Policia ka bërë të ditur se gjatë ditës së zgjedhjeve janë iniciuar 17 raste penale që lidhen me procesin zgjedhor, përfshirë veprat penale si “cenimi i fshehtësisë së votimit”, “asgjësimi i dokumenteve të votimit”, “keqpërdorimi i të drejtës së votimit” dhe “dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”. Në kuadër të këtyre rasteve, 5 persona janë dërguar në mbajtje.
Po ashtu, janë trajtuar gjithsej 53 informata të ndryshme, të cilat pas verifikimit nuk kanë rezultuar me elemente për procedim të mëtejmë penal.
Në komunikatë theksohet se Policia e Kosovës ka vepruar me profesionalizëm dhe paanshmëri në trajtimin e të gjitha raportimeve që lidhen me procesin zgjedhor, duke siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt për qytetarët.






