Protesta e qytetarëve ka vazhduar edhe sot pranë objektit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku protestuesit po shprehin pakënaqësitë lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, si dhe po presin votimin e plotësim-ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se, sipas detyrës zyrtare, ka vazhduar me masat dhe planifikimet e nevojshme për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe mbarëvajtjen e protestës.
“Protesta e qytetarëve ka vazhduar edhe sot, duke qëndruar pranë objektit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për të shprehur vazhdimin e pakënaqësive lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, si dhe për të pritur votimin e plotësim-ndryshimit të ligjit për Dhomat e Specializuara”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Sipas Policisë, protestuesit kanë vazhduar të qëndrojnë përreth objektit të Kuvendit, ndërsa persona të caktuar, kohë pas kohe, kanë tentuar të futen brenda rrethojave të Kuvendit.
“Protestuesit kanë vazhduar të qëndrojnë përreth objektit të Kuvendit të Kosovës, ku person/a të caktuar, pjesëmarrës në protestë, kohë pas kohe kanë tentuar të futen brenda rrethojave të Kuvendit, si dhe kanë hedhur mjete të ndryshme, mjete piroteknike, drejt objekteve shtetërore të Kosovës”, njofton Policia.
Policia ka thënë se vazhdimisht u ka bërë thirrje protestuesve që të shprehin pakënaqësitë në mënyrë të qetë dhe të mos hedhin mjete piroteknike apo gjësende të tjera.
“Policia e Kosovës, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, ofrimit të sigurisë për qytetarët si dhe mbrojtjes së pronës publike, në vazhdimësi ka kërkuar nga pjesëmarrësit që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos hedhin mjete piroteknike apo gjësende të ndryshme”, thuhet në komunikatë.
Megjithatë, sipas Policisë, një protestues është shoqëruar në stacion policor pasi dyshohet se ka poseduar dhe ka hedhur mjete piroteknike në drejtim të objekteve shtetërore.
“Edhe përkundër kërkesave të vazhdueshme të zyrtarëve policorë që të protestohet në mënyrë të qetë, Policia e Kosovës është detyruar të marrë masa ndaj një protestuesi i cili dyshohet se ka poseduar dhe ka hedhur mjete piroteknike në drejtim të objekteve shtetërore, të cilin e ka shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme”, njofton Policia.
Policia e Kosovës ka ritheksuar se e njeh të drejtën e qytetarëve për protestë dhe shprehje të pakënaqësive, por ka apeluar që protestat të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe demokratike.
“Policia e Kosovës, e rithekson se njeh të drejtën e qytetarëve për protestim dhe shprehje të pakënaqësive në mënyrë të qetë dhe demokratike, si dhe apelon tek të gjithë pjesëmarrësit të protestojnë të qetë, të mos dëmtojnë pronën publike dhe të respektojnë ligjet”, thuhet në komunikatë.
Policia ka bërë të ditur se zyrtarët policorë do të vazhdojnë të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.
“Zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, ku siguria e qytetarëve dhe objekteve shtetërore si dhe mbarëvajtja e protestës vazhdojnë të jenë prioritet i Policisë së Kosovës”, thotë komunikata.






