Policia e Kosovës në veri të vendit ka realizuar projektin “Rreze drite në emblemën time”, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 27-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.
Sipas njoftimit të Policisë në Facebook, aktiviteti, i mbajtur dje nën moton “Një rrugëtim i përbashkët, një mision i përhershëm”, kishte në fokus fëmijët dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Policisë dhe komunitetit.
“Me këtë rast, stacionet policore në veri të vendit hapën dyert për qytetarët, duke mirëpritur nxënës të shkollave fillore, të cilët patën mundësinë të vizitojnë hapësirat e Policisë dhe të njihen nga afër me punën, përgjegjësitë dhe përkushtimin e zyrtarëve policorë në shërbim të qytetarëve”, thotë PK, raporton Klankosova.tv.
Sipas Policisë, pjesëmarrja e fëmijëve i dha aktivitetit një frymë të veçantë dhe dëshmoi rëndësinë e ndërtimit të besimit ndërmjet Policisë dhe komunitetit që në moshë të hershme.
“Policia në Veri mbetet e përkushtuar që përmes aktiviteteve të tilla të jetë sa më pranë qytetarëve, veçanërisht fëmijëve dhe të rinjve, duke krijuar ura të reja komunikimi dhe bashkëpunimi dhe duke promovuar një kulturë të përbashkët të sigurisë.Në kuadër të aktiviteteve të Drejtorisë Rajonale të Policisë Mitrovicë veri po ashtu janë shpërndarë kartela identifikuese për anëtarët e Këshillave Lokale për Siguri Publike (KLSP), si dëshmi e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe partneritetit ndërmjet Policisë dhe komunitetit në funksion të një ambienti më të sigurt për të gjithë”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Policisë.






