Policia e Kosovës ka dalë me një apel për qytetarët, duke i paralajmëruar për raste të mashtrimeve gjatë shitjes së produkteve përmes platformave online.
Sipas policisë, kohët e fundit janë evidentuar raste kur persona të dyshuar kontaktojnë qytetarët që kanë publikuar produkte për shitje, duke u paraqitur si blerës të interesuar.
Mashtruesit u dërgojnë shitësve linqe të rreme, përmes të cilave kërkojnë të dhënat e kartelave bankare, kinse për realizimin e pagesës.
Policia u bën thirrje qytetarëve të mos hapin linqe të dyshimta dhe të mos ndajnë numrin e kartelës bankare, datën e skadimit, kodin CVV/CVC apo kodet e konfirmimit bankar.
Në rast se qytetarët kanë dhënë të dhënat e tyre në faqe të dyshimta, këshillohen të kontaktojnë menjëherë bankën për bllokimin e kartelës dhe ta raportojnë rastin në Polici.
“Për të shitur online, nuk keni nevojë të zbuloni të dhënat e kartelës suaj bankare”, thuhet në apelin e Policisë së Kosovës.






