Një prej gjeneralëve kryesor amerikanë që drejton komandën evropiane të Ushtrisë Amerikane, Christopher Cavoli, në një paraqitje para Senatit amerikan javën e kaluar, ka folur për një plan për zgjerimin e numrit të forcave të përhershme që shërbejnë në kuadër të KFOR-it në Kosovë, duke zëvnëdësuar kështu forcat rezervë që janë vendosur në Kosovë gjatë kohës së fundit.

Nga Komanda Evropian e Ushtrisë Amerikane kanë sqaruar se gjenerali Cavoli, s’ka folur në mënyrë specifike për rritje të numrit të forcave të përhershme amerikane, por për një grup shumë-kombësh.

“Deklarimet e tij për forcat rezervë kishin të bënin me grupin shumë-kombesh, jo me personelin amerikan të caktuar në mision”, ka sqaruar për Express, Charles Pichard, nga Zyra për Mediat në Komandën Evropiane të Ushtrisë Amerikane.

Gjenerali Cavoli në dëshminë e tij para Senatit Amerikan kishte treguar për rritjen e forcave rezervë në Kosovë të shteteve aleate, pas rritjes së tensioneve në kohët e fundit. Ai kishte thënë se planifikohet që këto forca rezervë të lirohen dhe të zëvendësohen me trupa të përhershme.

Për këtë, gjenerali amerikan, kishte thënë se presin që shumë shpejt të kenë një marrëveshje.

“KFOR-i mbetet në terren. Ai është një vend, ku Italianët dhe aleatët kujdesen vërtetë shumë. Kemi pasur forca rezervë që kemi dislokuar atje prej më shumë se një viti për t’u marrë me rritjen e tensioneve atje. Po zgjerojmë numrin e forcave të përhershme për të liruar forcat rezervë, dhe besoj që do të arrijmë në një marrëveshje për këtë shumë shpejtë”, ka thënë Cavoli, i pyetur nga senatorja amerikane, Jeanne Shaheen për të adresuar edhe çështjen e Kosovës dhe Bosnjës.

Sa i përket dislokimit të trupave rezervë në Kosovë, ai ka përmendur Turqinë, Hungarinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Italinë, duke i cilësuar si mjaft të përgjegjshme sa i përket forcave rezervë.

KFOR në Kosovë numëron plotësisht 4 mijë e 686 trupa dhe janë 29 shtete që kontribuojnë me trupa ushtarake. SHBA ka 602 ushtarë, Italia 1 mijë e 258 dhe Hungaria 358