Petrit Hajdari ka njoftuar dorëheqjen nga pozita e kryetarit të Degës së PDK-së në Drenas.
Përmes një postimi publik, ai bëri të ditur se vendimi është marrë me kërkesë të kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, duke theksuar se nuk dëshiron të bëhet pengesë e proceseve të nevojshme brenda partisë.
Hajdari tha se po e lë degën pas një rezultati që e cilësoi si historik, me mbi 18 mijë vota në zgjedhjet e fundit nacionale, duke e konsideruar Degën e Drenasit si degën më të fuqishme të PDK-së.
“Pozitat nuk kanë qenë kurrë thelbi i rrugës sime; thelbi ka qenë gjithmonë e mira e vendit”, ka shkruar ai, ndërsa ka shtuar se do ta vazhdojë kontributin e tij në kryesinë qendrore të partisë.
Ai falënderoi ish-kryetarin Memli Krasniqi për bashkëpunimin dhe besimin, si dhe uroi Bedri Hamza për sukses në zgjedhjet e ardhshme.
Në fund, Hajdari tha se shpreson që drejtimin e degës ta marrë “një figurë e pakorruptuar, përbashkuese dhe jopërçarëse”, duke theksuar se Drenas ka nevojë për unifikim politik.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë të Drenasit dhe mbështetës të PDK-së,
Në Degën e PDK-së në Drenas kemi korrur sukses të jashtëzakonshëm në zgjedhjet e fundit nacionale, duke dalë dega më e fuqishme e PDK-së.
Me besimin se duke e çuar përpara PDK-në e çojmë përpara Kosovën, angazhimi ka qenë i përhershëm e i përditshëm.
Megjithatë, duke mos dashur t’i bëhem pengesë proceseve të nevojshme, me kërkesë të kryetarit të PDK-së Bedri Hamza, kam vendosur sot ta liroj degën e PDK-së në Drenas dhe ta fokusoj kontributin në kryesinë qëndrore.
E lë degën me mbi 18 mijë vota dhe me krenarinë e performancës në zgjedhjet më të vështira nacionale ndonjëherë. Vazhdoj të jem i përkushtuar për të kontribuar për PDK-në e për vendin, pavarësisht nga cila pozitë.
E falenderoj thellësisht ish-kryetarin Memli Krasniqi për besimin e bashkëpunimin dhe kryetarit Hamza i uroj suksese në zgjedhjet e radhës, ku ofroj kontributin e angazhimin tim.
U jam mirënjohës Asamblistëve, shtabit të degës dhe kryesisë së degës për angazhimin vetëmohues në zgjedhje. Gjithashtu, i falenderoj kandidatët për deputetë nga komuna jonë që bashkërisht kanë bërë që PDK-ja të ketë rezultat të mirë.
Jam jo vetëm mirënjohës por edhe krenar për punën që kemi bërë bashkë.
Pozitat nuk kanë qenë kurrë thelbi i rrugës sime; thelbi ka qenë gjithmonë e mira e vendit, sepse vetëm ajo mbetet kur çdo gjë tjetër kalon.
I falenderoj qytetarët e Drenasit dhe secilin që ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi për besimin dhe mbështetjen.
Shpresoj që pozitën që po e liroj unë, ta marrë një figurë e pakorruptuar, përbashkuese e jopërçarëse. Drenasit i nevojitet unifikim.
Ka qenë nder për mua t’i shërbej vizionit për një Kosovë më të mirë, trashëgimisë së Hashim Thaçit e Kadri Veselit.
Do ta vazhdoj kontributin me besimin që e mira e PDK-së është e mira e vendit.
I juaji,
Petrit E. Hajdari






