2.5 C
New York
Thursday, December 26, 2024

Buy now

Përsëritja e veprave penale, kërkohen fonde për rehabilitimin e të burgosurve

- Advertisement -

Kaloi 17 vite në burg për vrasje e pa i bërë një vit që u lirua u përfshi në një tjetër vepër penale, gati po aq të rëndë duke therur katër kalimtarë rasti.

Por, F.I nga Ferizaj nuk është i vetmi recidivist i cili nuk reflektoi gjatë kohës sa ishte në burg.

Gjatë vuajtjes së dënimit, të burgosurit u nënshtrohen programeve për socializim e rehabilitim në të cilat hyjnë, shkollimi elementar dhe ai profesional, ashtu që të jenë përsëri pjesë e shoqërisë.

E të njëjtave iu nënshtrua edhe F.I gjatë kohës sa Sokol Zogaj ishte në karrigen e drejtuesit të SHKK-së.

”Me mundësitë e veta, shërbimi atëherë ishte munduar për të. Të gjithë ekspertët që kishim, psikologë, punëtorë social, mjekë të bëjnë të pamundshmen për të por si duket nuk ja paskemi arritur, një recidivistë që përsëriti veprën. Janë disa që marrin pjesë, janë të angazhuar por nuk ndikon. E pamundshmja bëhet, ndihmojnë sa të munden, shërbimi e jep maksimumin e vet sa është i paraparë mirëpo diku dështon. E ne dënimin nuk mundemi t’ia zgjasim”, ka thënë Sokol Zogaj, ish-drejtues i SHKK-së.

Gjatë kohës në burgim, F.I kishte 17 masa disiplinore e për të njëjtat, iu hoqën disa privilegje siç ishte kalimi në pavijon të hapur ose vizitat.

Por për risocializimin e tyre, Zogaj vlerëson se shteti duhet të bëjë më shumë.

”Ka kapacitete SHKK, sa i njoh pjesën më të madhe të tyre, janë ekspertë të mirë që kanë dëshmuar veten. Të parët jemi, por s’është mjaftueshëm. Shteti duhet të ndajë para më shumë, duhet të hapin fabrika e ata të punësohen. Vetëm përmes punës mund të bëhet risocializimi i tyre. Ajo ndikon mirë edhe për SHKK-në dhe evitohet prishja e raporteve familjare”, ka thënë Sokol Zogaj, ish drejtues i SHKK-së.

E se fonde të tjera janë më të nevojshme në avancimin e programeve rehabilituese e thonë edhe nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Por përpos kësaj, tjetër faktor në përsëritjen e veprave e cilësojnë edhe shoqërinë e cila sipas tyre, nuk po i pranon ata.

”Shoqëria aspak ose fare pak investon për ata që dalin nga burgu pasi t’i kenë kryer dënimet. Prandaj i përsërisin veprat. Po të kishte një program që do t’i ndihmonte rehabilitimin e tyre përmes punësimit, numri i atyre që përsërisin veprat do ishte shumë më i vogël. Shoqëria ka mundësi t’i stimulojë organizatat që t’i punësojnë këta njerëz”, ka thënë Behxhet Shala, drejtor i KMDLNJ-së.

Televizioni ka pyetur edhe KGJK dhe Policinë e Kosovës për numrin e personave recidivistë, por të njëjtit, nuk i janë përgjigjur interesimit.

Personi që kreu veprën në Ferizaj ishte i dënuar për vrasje të rëndë në vitin 2006.

Një tjetër rast ndodhi më 16 prill të këtij viti, Edomnd Lajçi vrau bashkëshorten në Pejë, gjersa ishte dënuar më parë për përdorim të narkotikëve.

I po të njëjtës natyrë ishte edhe tani i burgosuri, Dardan Krivaqa i cili vrau 18-vjeçaren Marigona Osmani në vitin 2021. I njëjti dyshohej për kryerjen e 135 veprave penale nga viti 2006./Dukagjini/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit