Hamza: Do të takohem me liderët e partive politike, mund të ndërmarrim iniciativa ligjore në Kuvend për Gjykatën Speciale

- Advertisement -

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës tha se vendimi i djeshëm i Gjykatës Speciale për t’i dënuar me 81 vjet burgim katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ” e dëmton historinë, të tashmën dhe të ardhmen” e vendit.

Pas një mbledhjeje të partisë, Bedri Hamza paralajmëroi takime “me të gjithë liderët e subjekteve politike”.

“Sepse kjo nuk është çështje më që i takon një subjekti politik”, tha ai.

Hamza tha se Gjykata Speciale “e ka devijuar komplet drejtimin e saj, në raport me atë për çka është votu në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.

“Besoj në bashkëpunimin me subjektet tjera politike në krijimin e një konsensusi të nevojshëm, dhe ne si PDK do të dalim me veprime konkrete, duke përfshirë ato ligjore dhe demokratike”, tha ai.

I pyetur nëse mund të ketë ndonjë nismë për Gjykatën Speciale, Hamza tha se mund të ndodhë.

“Ne do të flasim me subjektet politike për seriozitetin e situatës, por sigurisht, nëse vjen, e mund të vijë iniciativa ligjore në Kuvendin e Kosovës, normalisht që kemi nevojë edhe për përkrahjen e subjekteve tjera politike”, tha ai.

Hamza tha se “është mirë që kemi komunikim mes liderëve të partive politike”.

“Në momentin e parë që përputhen oraret, rrethanet, mundësitë, ne do të takohemi”, tha ai.

Hamza tha se PDK-ja i ka të gatshme nënshkrimet e 22 deputetëve të saj dhe “varësisht prej nevojave do të procedojë”.

Kreu i PDK-së tha se s’po ikin nga obligimet që Gjykata t’i hetojë të gjitha gjetjet e raportit të Dick Martyt, për të cilat është krijuar ajo.

“Dhe çkado që do të ketë nga ai raport që ka të bëjë me trafikimin e organeve dhe çështje tjera, shtëpinë e verdhë -e e dimë që kanë qenë objekt i trajtimit të atij raporti dhe bazë për krijimin e kësaj gjykate speciale – aty do të jemi. Ne nuk i ikim asaj përgjegjësie”, tha ai.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim – të gjithë për krime lufte

Të ngjashme

Të fundit