Përkujtohen viktimat e Masakrës së Gollubovcit në Malishevë

- Advertisement -

Malisheva ka shënuar sot 28-vjetorin e Masakrës së Gollubovcit ku qenë vrarë 28 civilë shqiptarë.

Aty u përkujtuan edhe tre dëshmorët malishevas, Ilaz Javori, Rasim Maloku dhe Selman Deligashi.

“Sot u shënua 28-vjetori i Masakrës së Gollubovcit, një nga ngjarjet më të rënda të vitit 1998 në Komunën e Malishevës, ku më 26 shtator të atij viti u vranë 28 civilë shqiptarë. Po ashtu në këtë datë, u përkujtuan edhe tre dëshmorë të Komunës së Malishevës, të rënë gjatë luftës, Ilaz Javori, Rasim Maloku dhe Selman Deligashi”, thuhet në njoftimin e Komunës së Malishevës.

“Në ceremoninë përkujtimore, krahas familjarëve dhe qytetarëve të shumtë, homazhe dhe nderime bënë edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi, së bashku me drejtorë të drejtorive komunale dhe përfaqësues të Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Malishevë”.

Krasniqi tha se kjo masakër mbetet një nga plagët më të rënda të luftës.

“Sot është një ditë që na kujton dhimbjen për një prej ngjarjeve më të rënda gjatë luftës, pasi u vranë në mënyrën më mizore 28 qytetarë të komunës sonë”.

“Këto ngjarje janë dëshmia më e mirë se serbët kanë kryer krime, e jo çlirimtarët, ndërsa gjykatat vazhdojnë të dënojnë çlirimtarët, kurse autorët e këtyre krimeve jetojnë të lirë”.

“Ne, si komunë, nuk do të heshtim para këtyre padrejtësive dhe kërkojmë që autorët e këtij krimi të dalin para drejtësisë”.

Ai më pas iu drejtua familjarëve të dëshmorëve dhe viktimave duke iu thënë se liria u fitua falë gjakut të tyre.

“Ju si familje të jeni të fortë, pasi falë këtij gjaku, falë kësaj sakrifice, ne sot jetojmë të lirë dhe sot i përkujtojmë të rënët”.

Ndërkaq, në emër të Familjeve të Dëshmorëve në Malishevë, Kastriot Berisha, vlerësoi të gjithë ata që kontribuuan për çlirimin.

 “Falë kësaj sakrifice, falë këtij gjaku të derdhur ndër shekuj, populli shqiptar jeton i lirë dhe ne sot ndërtojmë vendin”, tha Berisha

Të ngjashme

Të fundit