Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka përkujtuar të gjithë dëshmorët që kanë rënë gjatë muajit qershor.
Në një postim në Facebook, organizata ka vlerësuar lartë sakrificën e tyre, duke thënë se vepra e tyre mbetet pjesë e historisë së Kosovës.
“Qershori i lavdisë dhe i sakrificës mbetet i gdhendur përgjithmonë në kujtesën tonë kombëtare. Në këtë muaj të rëndësishëm për historinë e luftës sonë çlirimtare, përulemi me nderim të thellë para veprës dhe flijimit të dëshmorëve të rënë gjatë luftës sonë çlirimtare, të cilët me gjakun e tyre shtruan rrugën e lirisë së Kosovës”, thuhet në postim.
OVL-UÇK ka publikuar edhe një listë të gjatë të dëshmorëve të rënë në këtë muaj, duke i kujtuar me respekt dhe përulësi.
” Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), me respektin dhe përulësinë më të madhe, i kujton dhe i nderon përjetësisht dëshmorët e rënë gjatë luftës tonë çlirimtare në muajin qershor. Lavdia e tyre do të jetojë përherë në historinë e Kosovës, ndërsa sakrifica e tyre do të mbetet frymëzim i pashuar për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!”, shkroi mes tjerash OVL-UÇK.






